Në redaksinë e ShkodraWeb ka mbërritur një tjetër mesazh i një bashkëqytetarit tonë që jeton në Firenze, Itali. Rafael Mosi i rikthehet idesë së një aeroporti ndërkombëtar në Shkodër, duke dhënë disa detaje. Megjithatë, ai ka përcaktuar hapësirën ku mund të ngrihet, madje edhe emrin. Në këtë mesazh, Mosi bën me dije se projekti është tashmë gati dhe ka dërguar edhe tre foto.
Ai kërkon që mesazhi i tij të publikohet, duke shtuar se e ka gati projektin për Aeroportin Ndërkombëtar të Shkodrës. Rafael Mosi ka gradën shkencore doktor, i diplomuar për arkeologji dhe antropologji kulturore. Më poshtë, gjeni të plotë mesazhin e dërguar në ShkodraWeb nga Rafael Mosi. Vlen të theksohet se Mosi dërgoi një mesazh në ShkodraWeb lidhur me ndërtimin e aeroportit në Shkodër, të cilin e kemi botuar me 24 janar 2022.
LEXONI EDHE: Rikthehet ideja e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkodrës, shkodrani prezanton disa detaje për projektin e tij…
MESAZHI I DYTË I RAFAEL MOSIT PËR SHKODRAWEB
Aeroporti Internacional “Gjergj Fishta” i Shkodrës.
Ky është projekti përfundimtar i realizimit të aeroportit të Shkodrës. Ideja dhe projekti im u mbështet nga një grup arkitektësh italian të cilët bashkëpunuan me mua për realizimin final të këtij projekti.
Mendimi im është që ky projekt që është i domosdoshëm për zhvillimin e qytetit tonë në gjitha pikëpamjet dhe i mirëpritur nga gjithë qytetarët shkodranë dhe të rrethinave, të realizohet në kohë të shpejta (mjaftojnë 12 muaj) dhe me një çmim që është i leverdisshëm dhe i përballueshëm për qytetin tonë, pikërisht sepse dëshira është që ta realizojmë patjeter pa harxhime të mëdha ku çdo gja është trasparente dhe konform ligjeve të mbrendshme dhe të jashtme për aeroportet.
Është një projekt modern, funksional konform gjithë standarteve europiane . Projektin tim sot ja dërgova po ashtu edhe istitucioneve përkatëse shtetërore të Shqipërisë dhe Bashkisë së Shkodrës.
Me respekt dott.Rafael Mosi