E djeshmja, e shtuna e 30 prill 2022, ka qenë e veçantë për Shalën por edhe Dukagjinin. Në Gimaj ka përfunduar ndërtimi i Kishës së Shën Rrokut, ndërsa në Breg Lumi është vendosurt shtatorja e Shna Ndout.
Qindra banorë nga të gjitha trevat e Dukagjinit por edhe përtej, janë bashkuar në Shkodër për të marrë rrugën drejt Bregut të Lumit, qendra e NJA Shalë në Bashkinë e Shkodrës.
Një udhëtim aspak i lehtë, në një rrugë të vështirë për mjetet e larta por edhe e rrezikshme për jetën e pasagjerëve në to. Megjithatë, gjithçka shon mirë dhe në orën 10.00 nis ceremonia e bekimit të këmbanores së Kishës së Shën Rrokut, për tu pasuar nga përurimi i shtatores së Shna Ndout.
Ceremonitë fetare drejtohen nga imzot Angelo Massafra, arqipeshkëv i metropolit Shkodër- Pult dhe president i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, duke treguar vëmendjen që Kisha Katolike në Shqipëri tregon për Shalën e Dukagjinin.
Të pranishëm janë edhe mjaft autoritete, ku veçohen prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni dhe zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër Tonin Dedaj.
Ishte një organizim i shkëlqyer i një dite të mrekullueshme në Alpet krenare shqiptare. E sigurisht, falenderimet i takojnë bijve e bijave të Dukagjinit që edhe pse jashtë vendit, kujtohen për vendlindjen.
Kisha e Shën Rrokut u ndërtua nga Vat Biga dhe familja e tij, nip i familjes s njohur të Zef Avdisë dhe Avdi Kolës Gimajve. Po ai, ndërtoi kompanjelin e kishës dhe solli këmbanën nga Italia.
Gjin Markaj nga Vuksanaj financoi dhe mundësoi vendosjen e shtatores së Shna Ndoit në Breg Lumi, afër Urës së Shalës, një vepër arti e mirëfilltë e gdhendur me shumë shije e pasion në gur.
Përveç trevës së Dukagjinit, në këtë ditë të shënuar morën pjesë edhe banorë nga Nikaj- Merturi, Malësia e Madhe, Shkodra e më gjërë. /ShkodraWeb/