Pak ditë më parë, analizat e një laboratori britanik sugjeruan se audiopërgjimi i Albert Veliut me Agron Xhafajn është i montuar, duke bërë që prokuroria të lëshojë një sërë urdhër-arrestesh, përfshi edhe për Babalen.
Vetë Albert Veliu, në rrëfimin e tij për “Open” këmbëngul se në audiopërgjim është zëri i tij dhe ai i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm. Babalja shton gjithashtu se i janë bërë shumë oferta, por edhe presione që të dalë e të thotë se audioregjistrimi ishte i manipuluar, por se i ka refuzuar.
“Unë i qëndroj deri në vdekje, vërtetësisë së atij audiopërgjimi. Le të presim që të dalë nga burgu ai personi tjetër (Agron Xhafaj), dhe të bëjmë ballafaqimin. Të na merret zëri të dyve dhe më pas do provohet që unë kam të drejtë. Unë i qëndroj të vërtetës time dhe nuk kam frikë për veten, por vetëm për familjen time”, – deklaroi Albert Veliu.
Sa u takon përgjimeve telefonike të prokurorisë ku Alizoti thotë se do të merrte 200 mijë euro, Babalja tha se të gjitha janë të montuara.
“Janë gënjeshtra të gjitha. Le të ketë përgjime. Unë i kam thënë se do ti jepja 200 euro nëpërmjet një mikut tim që të mbante familjen se e ka “për bukën e gojës”. Alizoti është i droguar. Atij jepini 2 shishe birra dhe do dëgjoni çfarë të doni” – tha Babalja.