Një ngjarje mjaft e rëndë është verifikuar pasditen e djeshme në fushat e blerta të futbollit. Ndërsa 95 minuta të lojës së rregullt në mes Kamzës dhe Laçit kanë shkuar krejt normalisht, pas saj janë perjetuar situata të paprecedenta në futbollin shqiptar. Ndërsa ekipet dhe arbitrat duhej të hynin në dhomat e zhveshjes, janë hapur dyert e tribunave dhe në fushë kanë vërshuar tifozët. Të udhëhequr nga presidenti i Kamzës Naim Qarri, ata kanë shenjestruar Eldorjan Hamitin, arbitrin kryesor të takimit. Arbitri është lënë totalisht i vetëm në fushën e blertë. Stjuartët nuk janë përjpjekur as ta mbrojnë dhe as të pengojnë tifozët ta godasin. Si rrjedhojë, arbitri ka përfunduar në spital. Vetëm më pas, policia ka arrestuar presidentin Qarri, dy zyrtarë të Kamzës dhe një tifoz. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe 4 të tjerë. Më poshtë, lexoni një pjesë të intervistës së Eldorjan Hamiti dhënë gazetës PanoramA.
Eldorjan Hamiti ka rënë pre e një dhune barbare në Kamzë. U dhunua nga tifozë dhe drejtues të klubit, pas një ndeshjeje që përfundoi me rezultatin 1-1.
Ai deklaron se nuk ka asnjë peng në ndërgjegje, sepse penalltia ishte e pastër, madje ia ka pranuar edhe vetë portieri. Por ndërkaq thotë për “Panorama Sport” se në atë fushë dje është ndierë i vrarë: fizikisht, moralisht dhe profesionalisht.
Eldorjan, si jeni tani?
Jam më mirë. Kam dhimbje në kokë dhe në qafë, por mjekët më thanë se mund të rri në shtëpi.
A u qetësuan familjarët?
Po si mund të qetësohen kur të shohin ashtu “live” në televizor. Ishte padrejtësi e madhe, ishte një maskaradë. Unë kam gruan shtatzënë dhe një djalë të vogël 5 vjeç. E kuptoni ju, çfarë kanë përjetuar ata sot (dje) së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes?
Mos ndoshta tek aksioni i fundit që solli edhe penalltinë patën pretendime për faktin që ishin dy topa në fushë?
E kanë gabim pra, nëse mendojnë kështu. Topin në fushë e hodhën vetë kamzalinjtë dhe ai top nuk u përfshi as në aksion dhe as në dinamikën e ndeshjes. Jo gjithnjë mund të ndërpritet ndeshja kur hidhet një subjekt i palejuar në fushë, kur ai nuk ndikon në aksion. Topi nuk ishte as afër që të ngatërronte lojtarët. Por këto janë çështje teknike. Nuk ka argument që e justifikon atë sjellje barbare. Nëse u mërzitën për një top, atëherë po ua çoj unë dhjetë topa dhuratë dhe le t’u bien gjithë ditën… Po u çoj edhe gjithë fisin që të merremi vesh siç e meritojnë ata… Më vranë more në fushë, e kupton apo jo? Më gjuajtën si mundën, sa mundën, me çfarë kishin në dorë. /Të plotë e lexoni në versionin print të PanoramA Sport/