Ardit Jaupaj, sulmuesi me origjinë nga Kuçova, është një nga afrimet që ka bërë Bylisi gjatë merkatos. Në fakt, zyrtarizimi i tij ishte jo i lehtë për shkak të problemeve me letrat, por sulmuesi ka nënshkruar me mallakastriotët një kontratë afatgjatë dhe do të jetë pjesë e projektit të presidentit Besnik Kapllanaj edhe në Superiore. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi, Bylis po u jep më shumë hapësira lojtarëve më pak të aktivizuar.
Një ndër ta, Ardit Jaupaj, shënoi edhe golin në Rrogozhinë, ku sferën e goditur nga mbrojtësi shtatlartë, Stivian Janku, e çoi në rrjetë duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij.
“Erdha te Bylisi me objektivin për t’u ngjitur në Superiore dhe ia arrita. Sa i përket fillimit të sezonit, për fat të keq, me gjithë përpjekjet e shumta të presidentit dhe klubit, nuk u federova dot. E megjithatë, punova shumë dhe ja ku jam”, tha shtatlarti i sulmit ballshiot, 23-vjeçari Ardit jaupaj.
FINALJA – Bylis këtë fundjavë e ka pushim, ndërsa pas dy javësh në Ballsh do të luajë me Besën, rivalin e këtij sezoni. Ardit Jaupaj thotë se duhen 3 pikët me Besën, por edhe pse jo të shënojë gol në të dyja sfidat nëse luan, ndaj kavajasve, por edhe në finale me Vllazninë.
“Unë dua që të jap më të mirën, të shënoj gola dhe pse jo ta sjellim kupën në Ballsh. Ky qytet e meriton trofeun. Kemi bërë shumë mirë dhe duhet ta mbyllim me sukses”, tha Jaupaj.