
Fati i Donika Prelës do të vendoset në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit- KPA. Ka qenë Komisioneri Publik, i pakënaqur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit- KPK, që ka ankimuar në shkallën e dytë dhe të fundit të vetting-ut. Sipas tij, Prela nuk duhej të ishte konfirmuar në detyrë.
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela. Ajo është magjistrate/prokurore, drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, znj. Donika Prela, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.
Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.