Janë më shumë se 3600 persona që duhet të rrinë në shtëpitë e tyre për të parandaluar përhapjen e virusit të rrezikshëm në Qarkun e Shkodrës. ShkodraWeb Media ka mundur të sigurojë listat e dala nga sistemi TIMS për qarkun e Shkodrës të personave, të cilët nga fundi i shkurtit dhe deri dy ditë më parë, kanë hyrë nga vende ku është shfaqur koronavirusi. Ky numër kalon 1200 dhe duke përllogaritur të paktën edhe dy persona të tjerë minimalisht që kanë patur kontakt të afërt si familjarë, arrihet në numrin 3600 që duhet të vetizolohen në shtëpi.
Listat e hartuara dala nga TIMS janë të detajuara, jo vetëm me gjeneralitetet e personave, orën e daljes dhe të hyrjes në Shqipëri bashkë me ditën, por edhe vendbanimin, të paktën atë të deklaruar në Qarkun e Shkodrës. Listat janë të detajuara sipas bashkive të qarkut dhe tashmë uniformat blu por edhe struktura të tjera, bashkë me ato të qeversjes vendore, kanë nisur të kontaktojnë këto persona.
Zyrtarisht, atyre do të kërkohet të qëndrojnë të paktën 14 ditë në shtëpi dhe gjatë kësaj kohe, të monitorojnë shendetin e tyre. Nëse do të kenë probleme, duhet të ndjekin protokollin e përcaktuar në këto raste. Numri 3600 duket mjaft i lartë për tu kontaktuar dhe brenda një kohe të shkurtër, edhe pse për shumë nga personat, disponohen edhe numrat e telefonit. Po ashtu, ekziston mundësia, që për një arsye apo tjetër, ndonjë nga udhëtarët të mos jetë i përfshirë në listat e sistemit TIMS dhe kjo e bën të domosdoshme që edhe ata të vetëizolohen.
Qellimi i publikimit të kësaj liste, sigurisht duke ruajtur privatësinë e secilit, është që njerëzit të ndërgjegjësohen, të fillojnë të marrin masa për vetëizolim për të ruajtur veten, familjarët dhe komunitetin ku jetojnë. Nuk është mirë që policia të trokasë në çdo derë dhe më pas, të vihen në zbatim edhe sanksione të parashikuara nga ligjet apo edhe VKM-ja e miratuar sot. Listat përfshijnë pa përjashtim, të gjithë qytetarët që kanë hyrë e kanë dalë nga zona të prekura nga koronavirusi, dmth nga Shkodra, Puka, M.Madhe, Fushë- Arrëzi dhe Vau- Dejësi. /ShkodraWeb Media/