Fadil Sula, babai 81 vjeçar i Sadetin Sulës, vazhdon të paraqesë dokumente, të cilat sipas tij provojnë manipulimin e procesit gjyqësor në dëm të të birit. Këtë herë, ai ka sjellë në vemendje tabulatet e dy telefonave celularë: Atë të të birit dhe të nuses së ndjerë Suela, siç e quan vetë. 81 vjeçari mbështet idenë se në tabulate, është një telefonatë ku kuptohet se ka manipulim. Më poshtë, ShkodraWeb përcjell një tjetër pasazh të Fadil Sulës, por i redaktuar që të kuptohet më qartë. 81 vjeçari shkruan për ShkodraWeb:
“Duket qartë që thirrja e orës 08.59 u bë në 08.59 të darkës drejt telefonit të Sados (Sadetin Sula)…por nga organi i akuzës në faqen 15 të pretencës u tha: Nga ana tjetër i pandehuri nuk i është përgjigjur thirrjes së viktimës, të kryer në orën 08.59 në ditën e krimit dhe për këtë ai nuk dha asnjë shpjegim të arsyeshëm. Por ku ndodhej telefoni në atë orë??? I sekuestruar! Po e ndjera nusja jonë Suela??? Në morgun e spitalit! Kush e bëri këtë thirrje drejt Sados nga celulari i Suelës?!!!??? Nga ky moment duket qartë loja që po luhet për të fajësuar Sadon… Bile që kjo të mos vihej re dhe rradha e orareve të lë dyshime !!! Në fillim duhet të pasqyrohen orët e mëngjesit (siç shohim në tabulatet e telefonit të Sados) por në tabulatin e Suelës ndodh e kundërta!!!!
Vihet re që në orën 07.09 është bërë telefonatë hyrëse nga z. P.K., i cili dëshmon edhe në gjyq që “e thirra Sadon në telefon e i thashë a po vjen të pimë një kafe, por ai me tha po çoj nusen në punë dhe më vonë takohemi se do vij përsëri në Shkodër me pagu taksat… PRA ISHTE SHOKU I TIJ QË E THIRRI NË MËNGJES DHE JO SIÇ THOTË ORGANI I AKUZËS QË SADOJA STISI TAKIME ME SHOKËT PËR TË KRIJUAR NJË ALIBI. Shihet qartë që telefonata e orës 07.12 gjithashtu është hyrëse dhe e thërret tashmë i ndjeri z.Gj.L. (kërkoj ndjesë familjarëve). Po ky shtetas dëshmon në gjykatë që kanë folur me Sadon por nuk kujtohet se e ka thirrë ai Sadon apo Sadoja atë, sepse mes shokësh nuk ka një rradhë cili do thërrase i pari (këtë e vertetojnë tabulatet). Por e lamë të takoheshim më vonë dhe keshtu ndodhi. Pasi Sadoja shoqëron të ndjerën Suela në dyqanin në Melgushë, kthehet në Shkodër, merr faturat e lekët që do paguheshin (4.5 milion lekë të vjetra taksa vendore), shkon e bën pagesat në bankë (shih faturat e pagesës, në fashikull ndodhen dhe videot e telekamerave të bankës që vertetojnë këtë). Pasi kryen këto veprime, thërret shokët e takohet me ta për kafe. POR ISHIN ATA QË E THIRRËN E NUK KA ASNJË STISJE.
Po të shikojmë tek tabulatet e celularit të Sados, thirrja e orës 08.59 të darkës, as nuk ka hyrë në telefonin e tij… Faqja 4 e pretencës, akuza thotë : Të tërheq vemendjen fakti se i pandehuri nuk e njoftoi policinë… Po në këto tabulate shihet qartë se Sadoja foli me shefin e policisë Bushat. Po edhe sikur të mos kishte komunikuar me shefin e policisë Bushat, çdo të thotë, përse do ta thërriste… Sadoja thirri NDIHMËN E SHPEJTË që ti shpëtonte jetën gruas se e gjeti pa ndjenja.
Kthehemi dhe një herë tek tabulatet e telefonit të Sados. Në ora 11.08, 11.12 dhe 11.16 jane tre thirrje që Sadoja bën drejt shtetases F.M. dhe djalit të saj por çuditërisht nuk merr asnjë përgjigje… Por për akuzën është normale!!! E ndërsa më parë, a nuk tha pse Sadoja nuk iu përgjigj thirrjes së Suelës e nuk dha asnjë shpjegim të arsyeshëm!!! Çfarë do thuhej në këtë rast sikur gjërat të shiheshin nga i njëjti këndvështrim???!!! Flasim përsëri me gjuhën shkencore të tabulateve.
Kthehemi tek tabulatet e telefonit të së ndjerës. Në orën 12.23 (pm) pasdite, rezulton një thirrje nga telefoni F.M. drejt telefonit të Suelës ( viktimës). Rezulton që F.M. thërret të motrën pasi Sadoja arrin të komunikojë me F.M. në ora 12.18 dhe i thotë “hajde shpejt se Ela është keq…”. Pra F.M. numrin e Suelës e gjeti në minuta… Pra e kishte këtë numër… Po e përmendim sepse në nëntor 2017 para trupit gjykues kjo shtetase deklaron se “ditën e ngjarjes e takova Sadon rreth orës 10.00 (një takim i zakonshëm por që nga kjo shtetase transformohet) në rrugë dhe pata një ndjesi të keqe, mu këputen këmbet e mendova ky i paska bërë diçka të keqe motrës time”. Po Sadoja e pyet (në po këtë seancë gjyqësore): Po pse s’e more motrën tënde në telefon pasi pate këtë ndjenjë të keqe por shkove t pish kafe?? “Zonja” mbetet pa arsyetim duke thënë: “E kam marrë po më ka dalë numri i fikun…. Paradite i kam rënë numrit po nuk më ka dalë numri i Suelës, ai që kisha unë këtu“. Sadetini e pyet serish: “Përse nuk shkove në Melgushë?”. Nga “zonja“ asnjë porgjigje. Duhet të theksojmë edhe një herë që në tabulatet e viktimës nuk rezulton asnjë thirrje nga F.M. në atë orar. E vetmja thirrje ishte ajo e orës 12.23 pasi Sadetini e lajmëroi që Suela ishte keq. Atëherë thirrja e F.M. qenka imagjinare…”, përfundon Fadil Sula, babai i Sadetin Sulës, i dënuar me burgim të përjetshëm si porositës i vrasjes së bashkëshortes së tij Suela Sula.
Nënvizojmë se ShkodraWeb ka bërë në rrëfimin e tij vetëm redaktime gjuhësore. Njëkohësisht, duke parë se është një çështje me ndjeshmëri të lartë, kemi dhënë emrat vetëm me iniciale. Si edhe herët tjetër, jemi të gatshëm të publikojmë çdo opinion, mendim, prova e fakte lidhur me ngjarjen e rëndë. /Exclusive ShkodraWeb/