![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2022/05/komisariati-nr-3-vrasje-polici-2022.jpeg?x28643)
Efektivi i policisë Çaush Saliasi mësohet se ka ndërruar jetë në spital pasi u plagos nga kolegu i tij Ludian Zaimi brenda komisariatit Nr.3 në Tiranë.
Pas rasteve të vetëvrasjes në dhomat e paraburgimit, sot në Komisariatin Nr.3 në Tiranë ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Në ambientet e policisë, efektivi Ludian Zaimi ka plagosur me armë kolegun e tij Çaush Saliasi. Mësohet se i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë pa mundur ti shpëtojë vdekjes.
Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta ndërsa kanë nisur hetimet për ngjarjen.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.
Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.