DOSSIER – Ana Daja, gjimnazistja shkodrane që vuajti burgjeve të diktaturës….

“Sa herë Hafiz Dërguti kishte ritualin e faljes, aq herë ulej e ngrihej Gjoni (Gjon Serreqi), se ishin të lidhur në pranga të dy bashkë…”. Hafiz Dërguti ishte hoxhë ndërsa Gjon Serreqi ishte katolik.. Është një ndër detajet e mbetura në kujtesën e Ana Dajës, për vitet e burgut gjatë diktaturës komuniste. Më poshtë do të vazhdojmë publikimin e rrëfimit të Ana Dajës në intervistën dhënë studiueses Fatbardha Saraçi në vitin 2003.

Hetuesi


Më kanë lidhë me zinxhirë duart dhe këmbët. Më ishin enjtur këmbët, plasaritur dhe qelbëzuar. Mjeku nuk pranoi të më mjekonte se deshi të më dërgonte në spital. Por s’më dërguan atje. Infermierja vetem më çau plagën edhe i hodhi jod. Më dërguan në dhomë ku ishin dy burra. Osman Haxhi (shumë i moshuar dhe Dom Zef Tuku. Natën këmbët e mija ishin ngjitur në çarçafët, temperatura shkoi 40 gradë C, s’më banë asnjë mjekim. Në këtë moment më çuan në katin e parë, ku ishte dhoma e torturave, aty më priste Pjerin Kcira dhe Ali Xhunga, të dy hetues.

Hetuesi –Na trego se si i ke organizuar grupet!

Unë u përgjigja shkurt:–S’kam bërë asgjë.

Më vendosën telat e korentit në të dy veshët edhe më lidhën me duart. Disa herë kam nxjerrë gjak nga hundët dhe goja, në moment më ikte kujtesa, kisha zanë gjuhën me dhëmbë. Më futën në gojë çorap të palarë, të qelbur që të mos dëgjoheshin britmat e mija. Më ulën në çimento, më vendosën korrentin dhe në këto momente shanin me fjalorin më të ndyrë me fjalë të ndyra pa pikë turpi.

Ali Xhunga, sa herë që s’pranoja akuzën, aq herë më godiste me shkelma në shollën e këpucës që më trondiste në të gjithë trupin. Më lodhën aq shumë sa nuk isha në gjendje të ecja, por dy policë më ngjitën në katin e dytë për krahësh.

Përveç torturave të shumta hera–herës më hiqnin ujin, ushqimin dhe gënjenin, thonin:-S’të ka sjellë gjë mamaja. Një herë, shoferi Ahmet Sufi erdh me zinxhirët që përdorin për rimorikim makinash, më lidhi me ato duart e këmbët. S’kisha si lëvizja. Kështu më la gjithë mbasditen. Kur më morën në pyetje, u thashë:

-S’jam në gjendje me qëndruar në karrige, sepse shoferi juaj më ka lidhur me zinxhirë hekuri. (Ata gjoja luanin rolin e të paditurit, ndërsa shoferi më thoshte:- Kam qenë i urdhëruar).

Në dhjetor të 1947, më dërguan te burgu i Gestapos (ish-shkollë), aty gjej një vajzë mirditore, Marije Frisku, mbesa e Dom Rrok Friskut. Mbas shumë kohësh jam takuar me të në burgun e madh të Shkodrës.

Mbas një periudhe më dërguan te burgu i Françeskanëve, te dhoma ngjitur me kompanjelin, pranë kambanës. Roja Hekurani na kontrollonte ushqimet, na i pështynte gjellët (ishte tuberkuloz) merrte sende të ndyta të pista dhe na i hidhte në ushqim. Dyert e dhomës ishin të ngjyrosura më bojë. Aty kam lexuar tre poezi të Padër Donat Kurtit, i lexova, i mësova përmendësh dhe i kam ruajtur. Shpesh komunikonim me njëri-tjetrin me dy trokitje në mur. Më thotë:-Jam Pjetri prej Vjerdhe (fshat), kam në dhomë Dom Anton Muzaj, ai që qëndronte në këmbë dhe ishte turbekuloz. Ai thoshte: -S’jam në gjendje për gjyq. Duan që të mohoj fenë e Krishtin. Për fe e atdhe, unë s’pranoj ndryshe. Gjyqi u bë me 12 janar 1948.

Dita e gjyqit

Grupi i të rinjve: Ana Daja, Liza Pali, Viktor Kujxhija.. ishte një gjyq fallco ku nuk u kuptua se ça thuhej. Vetëm u lexuan emrat e studentëve: U bënë duartrokitje nga njerëzit e sallës dhe u dha dënimi …. Të paktën u mbyllën vuajtjet e hetuesisë.

Në burg na mbanin të mbyllura, na linin të ajroseshim një orë paradite dhe një orë mbasdite. Në burg punonim, bënim thurje me lesh, punim trikosh çorapesh, i dorëzonim çdo natë punën e bërë gjatë ditës. Në vitin 1949, filluan me marrë të burgosur nga burgu i madh i çonin në Degën e Punëve të Brendshme.

Bashkëvuajtësit

Kam pasë në burg Adile Hasan Boletinin –gruaja e Adem Boletinit (i vrarë në atentat). E dënuan 5 vjet për mosdenoncim të Jup Kazazit (ishte burri i motrës së saj që u vetëvra për të mos iu dorëzuar komunistëve).

Agime Pipa –Vajzë e përkryer në të gjitha pikëpamjet. Shumë e edukuar, e e heshtur, e mençur, intelektuale e parë e Shkodrës sonë. E dënuan 4 vjet edhe e bëri të plotë dënimin.

Vitore Kuka- Vajzë e mirë, arsimtare në breg të Bunës. Kishte vëlla Zef Kukën anëtar i Ballit Kombëtar-Shkodër, i pushkatuar nga komunistët. U akuzua për agjitacion e propagandë. E dënuan 5 vite të cilat i bëri të plota.

Terzina Pali-Një vajzë e zgjuar, burrneshë. Arrestimi i saj u bë në Tiranë, për veprimtari politike agjitacion e propagandë, dajat e saj Dedë Thani, i burgosur në Jug, Mark Thani, akademist vrarë në Kosovë, Pal Thani vdiq në tortura në Sigurimin e Shkodrës. Terezina e Liza Pali, mbesat e tij e kanë ndigjuar dajën Pal tuj e torturuar. E kanë lënë në një dhomë me z.Mustafa Ago Myrto Danin prej Postribe. Sa të vështirë e kanë pasur këto vajza…E dënuan 5 vjet që dhe i vuajti të plota vitet e burgut.

Liza Pali-U dënuan tre vjet për agjitacion e propagandë.

Gjyste Lazri-Nga Fishta (zonë e Zadrimës)e akuzuan se kishte ndihmuar të arrestuarit, ishte gruaja e Vasë Tomës, i vrarë nga komunistët.

E kapën Gjysten, e zhveshën, e torturuan për të treguar lidhjet e burrit të saj. Ajo s’pranoi, ishte shtatzënë. Lindi vajzën në burg. Vajzës ia vunë emrin Vasilika, por ia morën, e dërguan në befotrof, por i vdiq. E kam lënë në burg.

Dida Zef Doda-Nga fshati Hajmel ishte mirditore. Ia kishim pushkatuar burrin, kunatin, edhe i kishin djegur shtëpinë. Ishte vajza e Bajraktarit të Mirditës, i kishin bërë kulakë. E kishin dënuar 12 vjet. Fëmijët e saj ia rriti dhe edukoi e ëma.

Bardha Krosaj-Një vajzë e shkolluar, e mirë. Ishte nga Kaçinari, Mirditë. Kjo lajmëronte të arrestarit që të mos dukeshin në atë zonë, se ishte mbushur me partizanë dhe sigurimsa. Korrieri i ka dhënë letrën, por ai ishte plagosur nga forcat e ndjekjes. Ata i kanë verbuar sytë edhe ia kanë marrë letrën që e kishte fshehur në kraharor.

Bardha në letër i kishte shkruajtur: “Zona është e mbushur me njerëzit e ndjekjes, mos u afroni se kanë ardhur këlyshët e Stalinit”.

Me kët’ letër ka ardhur Aranit Çela dhe hyni në dhomë e pyeti:-Cila është ajo që ka shkruajtur këlyshët e Stalinit?

-Unë –iu përgjigja Bardha.

Bardhën e kishte torturuar në Rrëshen, ka ardhur si kufomë. Familjarët nuk e dinin se ku ishte. Në 1948, temperaturë e lartë, të vjella, i filloi sëmundja e tuberkulozit.

Kishte urdhëruar të mos i jepej asnjë kurë mjekimi. Ashtu të sëmurë e sollën në dhomën tonë të vogël ku banonin 14 gra edhe vajza. I shërbenim, e ushqenim nga ushqimet tona që na i sillte familja. Ishte 19 vjeçe.

E veshëm me pallton e bukur që kishte kujtim, ashtu e morën gardianët e burgut në momentin e fundit të jetës. Vdiq ajo vajzë e re dhe e varrosën tek varezat katolike të Rrmajit në Shkodër.

Marije Frisku-Mbesa e Rrok Friskut, e dënuar 3 vjet. E burgosën me axhën e saj (vdiq në burg).

Një Nasibe –S’ia mbaj mend mbiemrin, nga Tropoja, ajo nuk fliste, ishte shumë e heshtur.

Drita Kosturi-Një vajzë e re që u bë në moshën 15 vjeçe komuniste, por më pas u bë një antikomuniste. I kaloi jeta në burg dhe internime. U familjarizuam, por ishim të rezervuara nga frika e spiunëve që shpesh ndodheshin edhe aty ku s’e mendoje.

-Drita Kosturin-E kishin lanë në një dhomë me Hafiz Dërgutin e Gjon Serreqin, ajo tregonte: Sa herë lutej hoxha në ritualin e faljes, aq herë ulej e ngrihej Gjoni, se ishin të lidhur të dy bashkë.

-Për zotin Pjeter Zef Saraçin –e dënuan në birucë vetëm pse tha një shprehje për të qeshur, për humor. E zhveshën, e lidhën këmbë e duar dhe i hidheshin kovat me ujë të ftohtë….

Zotërinjtë Xhevat Dani e Pjeter Saraçi i shihnim shpesh duke pastruar oborrin me fshesë dhe shumë punë të tjera….

Pasi dola nga burgu punova punëtore gjithë jetën në beton. Formova familje, rrita fëmijë, djalë e vajzë, tashti jam gjyshe…”

Ana Daja u nda nga jeta në vitin 2006 duke lënë pas historinë e një jetë plot vuajtje, por edhe historinë e një gruaje plot dinjitet që u përball me diktaturën komuniste.