Ashtu siç ShkodraWeb paralajmëroi pak orë më parë, ndryshon titullari i Këshillit të Qarkut Shkodër. Marina Duhani ka dhënë dorëheqjen nga ky post permes një shkrese që mund të lexoni më poshtë.
Sipas tekstit, janë arsye personale, angazhime profesionale që e pamundësojnë vazhdimin e mandatit. Tashmë hapet rruga që në krye të Këshillit të Qarkut Shkodër të vihet Edmond Ndou. Po sot, mësohet se ka paraqitur dorëheqje edhe Rezarta Pode nga Illyrian Guard për Shkodrën dhe drejtori rajonal i ARRSH- së Ervin Sadiku.
DEKLARATE DORËHEQJE
Të nderuar Anëtarë të Keshillit të Qarkut Shkodër,
Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar duke shërbyer si Kryetare e Këshillit te Qarkut Shkoder.
Gjatë kësaj kohe, kam punuar me përkushtim të palëkundur për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje, duke u përpjekur të ofroj shërbime cilësore për banorët e qarkut tonë.
Sidoqoftë, për shkak të angazhimeve të reja profesionale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje duhet të njoftoj se nuk jam më në gjendje të vazhdoj në rolin tim si Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër.
Kështu, me këtë letër, sot paraqes zyrtarisht dorëheqjen time nga kjo detyrë.
Dua të shpreh falenderimet e mia më të thella për çdo anëtar të këshillit për bashkëpunimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kësaj periudhe.
Besoj se bashkëpunimi ynë ka qenë frytdhënës dhe ka kontribuar në përparimin e qarkut tonë.
Ju lutem pranoni mirënjohjen time më të sinqertë për çdo gië që kemi arritur së bashku.