Duket disi e çuditëshme, por kështu ndodh. Nëse largoheni nga shtëpia për disa ditë për pushime, duhet të merrni disa masa. Fillimisht, duhet të hiqni dorë nga mania e publikimit në Facebook të çdo gjëje që bëni. Në këtë rast, të mos tregoni direkt ose indirekt që po ikni me pushime. “Skifterët” pikërisht këtë njoftim presin dhe të tjerat i dinë vetë…kur të ktheheni të lumtur nga pushimet, mund të gjeni vetëm 4 muret e shtëpisë.
Ka edhe një metodë interesante. “Skifterët” ngjiten në pallate me fletushka “publicitare”. Trokasin disa herë në derë. Lënë një fletushkë nëse nuk e hapën askush. Pas disa orësh rikthehen dhe nëse nuk e ka lëvizur kush, ajo banesë është e destinuar të futet në “planin e punës” së “skifterëve”.
“Objekte” të preferuara për grabitjet, janë banesa që lihen të kyçura për një kohë të gjatë, ato të emigrantëve dhe shtëpitë në periferitë e qyteteve. Po cilët janë “skifterët”? Sipas policisë, kryesisht janë mosha të reja, madje në pamje të parë mjaft “trendy” dhe modern. Pikërisht këta të “bëjnë gjëmën” nëse nuk je i kujdesshëm. Informacioni mësipër, ka dalë nga goja e specialistëve. Nëse doni të pushoni të qetë dhe ta gjeni shtëpinë në kthim siç e keni lënë, duhet të bëni sakrifica. Duke nisur nga miku juaj më i mirë, Facebook! Mos thoni që nuk ju paralajmëruam!