Çeshtja “Diagne” tek Vllaznia, drejtori sportiv Djarmat nuk preferon të flasë, mbetet tek deklarata e Plorit…

Fallou Diagne është një nga futbollistët më të rëndësishëm në skuadrën e Vllaznisë. Megjithatë, në periudhën e fundit, Diagne hasi vështirësi për t’u përshtatur me idetë e reja të trajnerit Elvis Plori.

Para takimit të fundit, trajneri Plori nuk e ka përfshirë senegalezin në formacionin anti-Partizani, teksa ka pasur edhe disa pakënaqësi nga ana e Diagne, duke ngritur në këtë mënyrë shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e tij te Vllaznia.


Ndërkohë, pas sfidës së fundit ndaj Partizanit, trajneri Plori i pyetur në lidhje me këtë çështje, është shprehur se Diagne ka disa probleme të vetat.

“Diagne ka patur disa probleme të vetat dhe nuk ishte në këtë ndeshje, por shpresoj që do të zgjidhet edhe problemi i tij”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori.

Së fundmi, rreth kësaj situate të mbrojtësit 32-vjeçar ka folur shkurtimisht për “Shkodra Sport” edhe drejtori sportiv i shkodranëve, Matko Djarmati, i cili theksoi se nuk ka asgjë më shumë për të shtuar nga sa ka thënë trajneri Plori.

“Nuk them dot asgjë më shumë se çfarë ka folur trajneri Plori. Ai ka shpjeguar fiks çfarë ka ndodhur. S’kam asgjë më shumë për të shtuar”,- tha shkurtimisht, drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati.

Në këtë situatë me shumë mundësi, aventura e Fallou Diagne me Vllazninë është mbyllur dhe mbrojtësi senegalez është drejt një largimi të parakohshëm.