Ngjarja e rëndë e ndodhur në Shkodër paraditen e të mërkurës, ka pas mundësi të zbardhet. Këtë pohim japin për ShkodraWeb burime policore që nuk duan të identifikohen. “Po punohet, por vështirë që edhe ngjarja e fundit në Shkodër të zbardhet…”.
Sipas këtij burimi, edhe kjo vrasje- plagosje do të ketë fatin e atyre që tronditën më herët Shkodrën. Burimi që flet për ShkodraWeb thotë se pista e parë është ajo që lidh këtë ngjarje me vrasjen e Arjan Ferracakut. Kjo jo vetëm nga lidhja farefisnore, por edhe nga informacione që po administrohen dhe janë sekret hetimi. Siç ndodh rëndom në këto raste, hetohet e kaluara e viktimës por në rastin e Fatos Ferracakut, nuk ka asnjë të dhënë që ta kanalizojë hetimin.
Lidhur me vrasësit, janë dy pista kryesore: ajo e vrasjes me pagesë por edhe ajo e një atentati nga persona që kishin për të “marrë hak”. Pista e gjobëvënies nuk është prioritare, nisur edhe nga bisnesi modest që ushtronte viktima. Siç ka nodhur edhe me ngjarjet e tjera, provat e lëna janë të pakta ndërsa dëshmitarët në vendngjarje refuzojnë të bashkëpunojnë ose shprehen se “nuk kemi parë gjë sepse ishin të maskuar”. Sipas burimit që flet për ShkodraWeb, mbetet vetëm të ekzaminohen gëzhojat e gjetura në vendngjarje, duke i krahasuar me ato të mbetura nga ngjarjet e kaluara. Por edhe lidhja e mundshme, nuk mund të japë ndihmë në zbardhjen e ngjarjes.
Hipotezat e dala deri tani lidhur me motivet e mundshme të vrasjes së Fatos Ferracakut, nuk kanë asnjë bazë hetimore. Janë thjeshtë hamendje apo aludime, por jo informacione nga grupi hetimor. Mënyra e ekzekutimit, vendi i zgjedhur dhe e shtëna në ajër pas krimit, fut në lojë Kanunin. Në këtë rast, e shtëna është njësoj sikur vrasësi të ketë deklaruar “e mora hakun”, përfundon burimi policor që ka folur për ShkodraWeb.