“Berishën e kemi pasur lider shpirtëror”, kryetari i PD Shkodër Xhevdet Amuli: Verdikt i Amerikës, s’ka arsye për përçarje

Pasi sqaroj deputetët për vendimin e përjashtimit te ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar, Lulzim Basha ka nisur të informojë strukturat mbi vendimmarrjen që për nga pesha e saj e ka cilësuar me te fortën brenda Partisë Demokratike.

Paraditen e të shtunës, Basha takoi krerët e degëve të PD në rrethe, dhe i informoi për vendimin duke kërkuar qe t’i sqarohet demokratëve se vendimi nuk është mohim i Sali Berishës dhe historisë se tij brenda PD.


Kryetari i Partisë Demokratike të Shkodrës Xhevdet Amuli pas takimit me Lulzim Bashën u shpreh për Abcnews.al se dega që ai drejton është me PD-në dhe Amerikën dhe se brenda forcës kryesore opozitare nuk ka asnjë përçarje, pasi kanë vetëm një armik; Edi Ramën.

“Kjo është diçka më shumë se qëndrimi i Bashës. Ne jemi pro amerikan. Ne jemi të tërë me Amerikën, edhe Sali Berisha vetë është me Amerikën. Nuk ka asnjë arsye që partia të ketë çarje. Ne Berishën e kemi pasur lider shpirtëror, nuk ka arsye që të ketë përçarje.

Ne jemi me PD-në, PD është familje e madhe. Edhe Berisha është me PD-në. Ne të gjithë bashkë jemi me PD-në dhe me SHBA-në. Ky është verdikti i Amerikës. Nuk kemi me asnjë përçarje dhe fraksion, ne luftën e kemi me PS-në dhe Edi Ramën dhe jo brenda llojit” tha ai.