Ka provuar të shënojë me kombëtaren, ka provuar të shënojë për Vllazninë në “Champions League” dhe duket se emocionet për të nuk janë ndonjë problem. Megjithatë për Megi Doçin çdo ndeshje është një sfidë më vehte dhe e tillë do të jetë edhe ajo e nesërmja ndaj danezeve të Fortunës, e vlefshme për turin e dytë të “Champions League”.
Duke folur para gazetaravë në konferencën e sotme për shtyp, sulmuesja kuqeblu do të vlerësonte gjendjen e mirë që ka ekipi i Vllaznisë në këto momente, prandaj dhe ajo shprehet:
“Gjendja e skuadrës është e mirë, ajo besoj se është gati për këtë ndeshje si në aspektin fizik ashtu edhe atë taktik. Morali është shumë i lartë. Ekipi duket shumë mirë dhe është i përgatitur për të bërë një ndeshje të mirë dhe pse jo për të synuar edhe fitoren. E rëndësishme është të japim maksimumin tonë në fushën e lojës dhe shpresoj t’ia dalim”.
E pyetur ndërkohë se a i druhet kundërshtarit dhe po ashtu se cila është pika më e fortë e Vllaznisë, Doçi përgjigjet: “Kundërshtari është një ndër 13 ekipet më të mira të Ligës së Kampioneve dhe kuptohet që ka vështirësinë e tij për t’u ndeshur me të.
Megjithatë ne do bëjmë më të mirën tonë dhe kuptohet edhe me mbështetjen e tifozëve, gjërat mund të bëhen më të lehta për ne. Pika më e fortë e Vllaznisë është grupi dhe prandaj jam e bindur se mund të marrim një rezultat pozitiv nesër”.