Nga Etleva Delia
Efektivi i Qarkullimit të Shkodrës, Julian Balliu, që shfaqet duke bërë pazare droge në një material investigativ të “Fiks Fare”, është “arratisur” menjëherë pas denoncimit publik.
Oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave e kanë shpallur në kërkim, pasi nuk e gjetën në adresën e tij, pak kohë pas publikimit të aferave për shitje kokaine.
Ish-shefi i Qarkullimit të Lushnjës, ndaj të cilit nisi procedim penal mbrëmjen e së hënës, u pezullua menjëherë nga detyra dhe Ministria e Brendshme tha se kanë nisur edhe procedurat disiplinore. Julian Balliu, aktualisht mbante detyrën si polic i qarkullimit rrugor në Shkodër.
Ndërsa më herët, ka qenë edhe shoqërues në njësinë e eskortimit të kompanisë TAP për transportim të veçantë. Së fundmi, i kishte dalë urdhri i emërimit në njësinë speciale të Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë.
“Pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’, në Top Channel, ku dyshohet implikimi i punonjësit të Policisë së Shtetit, Julian Balliu në një tentativë për trafik e shitje narkotikësh, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nisi procedimin penal ndaj tij.
Gjithashtu, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një procedim disiplinor për efektivin Balliu, me detyrë oficer i Policisë së Qarkullimit Rrugor, duke marrë masën e pezullimit nga detyra, deri në përfundim të hetimit të ngjarjes.
Strukturat e SHÇBA-s janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat dhe personat e mundshëm të implikuar në këtë ngjarje të rëndë për punën dhe imazhin e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme. /panorama.com.al/