Gjyqi ndaj Tom Doshit po shoqërohet me një situatë të paprecedentë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka braktisur gjyqin, duke mos marrë pjesë në dy seanca të njëpasnjëshme. Prokuroria ka munguar në seancat ndaj Doshit pa asnjë justifikim dhe argument.
Në këtë mënyrë, organi i akuzës po zvarrit një çështje për të cilën ka ngritur vetë akuzën. Është vetë Prokuroria që e akuzon Doshin për pastrim parash, ndërsa është radha e dytë që nuk është prezente në gjyq.
Ka qenë gjyqtarja Liljana Baku, e cila ka tentuar të komunikojë me kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besnik Hajdarmataj, për të marrë një përgjigje mbi mungesën e prokurorisë, por nuk ka pasur asnjë reagim nga pala e akuzës.
Nga ana tjetër, në seancën e sotme ka munguar edhe Tom Doshi, i cili është përfaqësuar nga avokati i tij. Seanca e radhës ndaj deputetit Doshi është shtyrë për datën 16 janar.