Në një deklaratë për mediat të bërë rreth 2 orë nga mbyllja e procesit zgjedhor, kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami ka akuzuar rivalin e tij Lulzim Basha se përmes ndikimit ka prishur neutralitetin e garës.
“Këto zgjedhje kanë filluar si të pabarabarta dhe kjo pabarazi është verifikuar në disa probleme që kanë dalë. Disa komisionerë kanë ndërhyrë dhe kanë prishur neutralitetin, duke u kërkuar votuesve që të votojnë zotin Basha”, ka thënë Selami.
Ai është shprehur se edhe prania e fotos së Lulzim Bashës në qendrat e votimit përbën një anomali, që bashkë me probleme të tjera, të denoncuara prej tij, nuk janë zgjidhur.
“Ai është miku im, por miqësia mënjanë, ai ose nuk di rregullat e demokracisë, ose ka shkelur neutralitetin. Megjithëse ky proces është i paplotë, nuk dua ta paragjykoj pasi është ende shpejt për një qëndrim përfundimtar”, ka thënë Selami.
Sa i takon procesit të numërimit, Selami ka thënë se do të ishte mirë që ai të bëhej në rrethe, ku po votohet, dhe jo në selinë e PD në Tiranë.
Ndërsa lidhur me bojkotin e propozuar nga ish-deputeti Astrit Patozi, Selami ka vlerësuar se, bojkoti nuk është një opsion në demokraci.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Selami ka falenderuar mbështetësit e tij. “Faleminderit për të gjithë ata demokratë që kanë shprehur vullnetin e tyre me votë, komisionerët dhe përfaqësuesit e mi, sepse nuk është e lehtë të jesh përfaqësuesi im në këto zgjedhje”, ka thënë ai./Top Channel/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!