Të nderuar Sipërmarrës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po avancon tashmë procesin e konsultimit publik, për disa ndryshime të rëndë- sishme në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Ligjin për TVSH dhe Ligjin për Taksat Vendore.
Këto ndryshime, të cilat do të jenë pjesë e paketës që finalizohet në qershor 2018, përfaqësojnë lehtësim të drejtpërdrejtë dhe ulje të ngarkesës fiskale për sipërmarrjet në disa sektorë kryesorë. Kemi propozuar shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë, për të cilat norma e tatimit mbi fitimin ulet me tri herë, nga 15% në 5%. Me këtë masë, rreth 90% e sipërmarrjeve përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale, me tatimfitimin zero ose 5%. Sektori energjetik, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e energjisë diellore, do të përfitojë përjashtim nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makineri dhe pajisje.
Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të trajtohen në dy mënyra, në referencë të lehtësimit të barrës fiskale. Së pari, në transaksion me grumbulluesit do të përfitojnë rimbursimin e TVSH në masën 20% dhe së dyti, do të trajtohen me tatimfitimin e reduktuar nga 15% në 5%. Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agroturizmit do të përfitojnë gjithashtu mbështetje përmes tre korrektimeve të rëndësishme fiskale, uljen e tatimfitimit nga 15% në 5%: normë të reduktuar të TVSH prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera që afrohen nga subjekti i licencuar agroturistik dhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja me qëllim agroturizmin.
Ajo që është më e rëndësishme dhe që dëshiroj të ndaj sot me ju, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po fillon në të njëjtën kohë konsultimin publik me të gjithë aktorët dhe faktorët për Paketën Fiskale 2019. Në këtë kuadër, dëshiroj të përcjell te ju festën e hapur për mendime, propozime dhe ide, në funksion të përmirësimit të legjislacionit, të përmirësimit të procedurave, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi arritur së bashku një Paketë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik.
Do t’ju ftoja që mendimet dhe sugjerimet tuaja të përcillen në adresën paketafiskale@financa.gov.al, e cila do të jetë platforma jonë e përbashkët e komunikimit për këtë qëllim. /Letër e hapur e ministrit të Financave Arben Ahmetaj/