Ditën e sotme, ShkodraWeb evidentoi mungesën e konferencës së zakonshme për gazetarët të trajnerit Mirel Josa para ndeshjes me Egnatian për Superligë. Njoftimi i papritur, krijoi idenë e një “heshtje shtypi” tek kuqeblutë, pas humbjes me Tiranën për Superligën.
Kjo, nisur edhe nga fakti se klubi kuqeblu, nuk dha ndonjë arësye për këtë vendim të papritur për të mos komunikuar me mediat, siç ka ndodhur gjithmonë nga nisja e sezonit futbollistik.
Mesa duket, termi “heshtje shtypi” ka qetësuar klubin, i cili ka nxituar të sqarojë mediat e përmes tyre opinionin, se nuk bëhet fjalë për “heshtje shtypi” por për zgjedhje të KF Vllaznia.
“Po me thone se eshte shkru diku qe Vllaznia eshte ne heshtje per shtyp. E verteta eshte se vendosem keshtu ngaqe eshte e diele dhe perpos kesaj, trajneri ka fol te marten dhe te merkuren dhe do flase edhe neser dhe duket e tepruar dalja kaq shpesh ne media. Por saktesojme qe nuk ka heshtje per shtyp.”, thuhet në sqarimin për mediat të shpërndarë në grupin zyrtar të komunikimit të KF Vllaznia me gazetarët.
Natyrisht, është e drejta e klubit kuqeblu të përcaktojë qasjen me gazetarët, mediat e tifozët, por gjithmonë me detyrimin për të dhënë sqarimet e duhura për të mos patur keqkuptime.