Gjykata e Apelit në Shkodër ka dënuar me 14 vite burg shtetas Rinard Tota, i njohur edhe me emrin Frederik Tota. 54 vjeçari u shpall fajtor për disa vepra penale si: “Shfrytëzim Prostitucioni”, “Mbajtje e lokaleve për prostitucion”, “Ushtrim pa license i veprimtarive financiare”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Vjedhje e energjisë elektrike ose impulsive telefonike” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.
Nga 14 vite që është dënuar 54 vjeçari do të vuajë 9 vite për shkak se pjesën tjetër e ka shlyer gjatë kohës së paraburgimit.
Ndërkohë Gjykata e Apelit në Shkodër ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke dënuar nga 5 vite burg që kishte kushëriri i Frederik Totës, shtetasi Kastriot Musa me 7 vite burg për veprën penale “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”.
Ky i fundit do të duhet që të bëjë afërsisht edhe dy vite burg sepse pjesën tjetër e ka shlyer në paraburgim.
Shtetasja tjetër Sonila Mehja, 36 -vjeçe është dënuar me 8 vite burg nga gjykata e apelit në Shkodër nga 9 që i ka dhënë shkalla e parë për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtjes së lokalit për prostitucionit”.
36-vjeçares i kanë mbetur edhe 4 vite pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë kohës së paraburgimit.
Ndryshe nga gjykata e shkallës së parë e cila vendosi që lokali 3 katësh në lagjen Xhabiej në Shkodër ku është ushtruar prostitucioni t’i kthehet 54 vjeçarit Frederik Tota, gjykata e apelit vendosi që kati i dytë dhe i tretë i kësaj ndërtesë t’i kalojë si pasuri shtetit shqiptar pasi dyshohet se këto dy kate janë ndërtuar përmes veprimtarive të paligjshme.
Frederik Tota u arrestua në nëntor të vitit 2017 në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” në operacionin e koduar “Balerinat”.
LEXONI EDHE: VIDEO – “Vendim absurd, s’ka fakte…”, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër, reagon i dënuari me 7 vite burg
Policia në atë operacion arrestoi në total shtatë persona ku tre prej tyre, Frederik Tota i shpallur fajtor nga gjykata si kreu i këtij grupi kriminal të shfrytëzimit të prostitucionit, kushëriri i tij Kastriot Musa dhe Sonila Mehja kanë marrë pjesën më të madhe të dënimit ndërsa katër të tjerët janë dënuar me pak muaj apo shërbim prove.
Shtetasi Frederik Tota që u dënua me 14 vite burg asnjëherë nuk ka pranuar qoftë në shkallën e parë por edhe në gjykatën e apelit akuzat e ngritura ndaj tij duke i mohuar me forcë duke thënë se nuk është kreu i grupit kriminal të prostitucionit dhe se lokali i tij nuk ka patur atë funksion.
Pavarësisht pretendimeve të tij dhe avokatëve mbrojtës të tre shtetasve të shpallur fajtor, gjykata e apelit vendosi që t’i dënojë me 29 vite burg të tre bashkë. Këta shtetas që u arrestuan në 18 nëntor të 2017-ës u dënuan me një vendim të formës së prerë pas pothuajse katër vitesh në seanca gjyqësore që zgjatën në shkallën e parë dhe gjykatën e apelit. /Nga Senad NIKSHIQI, PanoramA/