NGA DOM GJERGJ META – Misioni shpirtëror i Europës…

Nga Dom Gjergj META

Gjithçka që perëndimi evropian i ka dhënë botës, në mënyrë të veçantë filozofinë, të drejtën dhe shkencën, kanë ndikuar me siguri që bota të jetë më e mirë edhe pse mes takim-përplasjesh midis kulturave dhe rrymave të ndryshme të mendimit.


Patjetër që edhe krishtërimi si një religjion në rrënjët e Evropës, apo sikurse hebraizmi e Islami, besime që me Evropën kanë pasur të bëjnë qysh herët, i kanë dhënë mjaft shtytje përpara civilizimit të saj, anipse edhe keta shpesh mes takim-përplasjesh.

E megjithatë Evropa ka krijuar një model të vetin të bashkëkzistecës midis diversiteteve, pikërisht falë faktit se përplasjen e ka përjetuar gjithmonë si një proces dialektik zhvillimi e jo si një fitore e dikujt mbi dikë tjetër. Ajo ka ditur edhe në konflikt të përfshijë e jo të përjashtojë, të bëjë pjesë kundërshtarin e jo ta izolojë apo thjesht ta tolerojë. Ky model nuk ekziston në asnjë shoqëri apo mentalitet tjetër jasht-evropian. Aty është ngjizur e aty funksionon.

Mbi këtë model janë ngritur edhe demokraci të tjera. Në këtë prizëm edhe USA është bijë e Evropës, pavarësisht se (pretendon se) u rrit pak më shumë se ajo, por rrënjët këtu i ka. Edhe demokracitë ballkanike aty e kanë synimin, pavarësisht se janë me një këmbë në Evropë e një në orjent çka i bën ato gjysëm-demokraci e gjysëm-autokraci.

Gjithsesi vetëm Evropa ia ka arritur të krijojë model. Prandaj Evropa duhet të jetë krenare për çka ka arritur e çfarë i ka dhënë botës deri tani.

Ka edhe anë të errëta të saj me siguri, por Evropa ka ende shpirtin e duhur për t’u korrigjuar. Ajo ka një mision të rëndësishëm sipas meje, ende edhe sot, dhe vetëm ajo mund ta bëjë. Është një mision shpirtëror, thellësisht i tillë: në natën e errët dhe të ftohtë të dimrit planetar të mbajë ndezur oxhakun me zjarrin e arsyes, të dashurisë, të besimit në Zotin, të solidaritetit, të përkujdesjes për më të dobëtit, gjëra këto që vetëm Evropa mund t’i bëjë të gjitha bashkë.

Ditë të paqtë! /Publikuar në Facebook/