Dritan Abazoviç, personi që po konsiderohet si “king maker” i koalicionit që pritet ti japë fund qeverisjes 30 vjeçare të Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, vazhdon të jetë stoik në qëndrimet e tij pro faktorit shqiptar në vendin e tij por edhe në Ballkan. Sërish sot, ai ka përsëritur se njohja e Kosovës nga Mali i Zi, nuk do të tërhiqet. Kjo, edhe pse partia më e madhe opozitare e Malit të Zi, njihet dhe konsiderohet gjerësisht, si pro serbe.
Nga dita kur u mësua se Abazoviç dhe partia e tij URA kishte rol kyç në qeverisjen e Malit të Zi, i riu shqiptar po deklamon përherë e më shumë krenarinë e tij për rrënjët shqiptare. Kjo qasje e re, krejt e ndryshme nga periudha kur ai kishte një pozicion më modest në politikën malazeze, qoftë me partinë e parë, qoftë me të dytën.
Nëse qëndrimet e ditëve të fundit, janë të mirëpritura veçanërisht nga shqiptarët kudo jetojnë, nuk është e qartë nëse vetë Dritani do të marrë bonuse apo…po rrezikon.
Partia e tij URA, nuk është një subjekt shqiptar, pavarësisht se Abazoviç është shqiptar nga Ulqini. URA është një konglomerat, të paktën etnish dhe duket se kjo ka qenë “gjetja” e Abazoviç me partinë që drejton.
Sipas gjasave, sa më shumë që Abazoviç orientohet drejt qasjes nacionaliste shqiptare, pozitat e tij brenda URA-s, rrjedhimisht edhe politikës malazeze, rrezikojnë të dobësohen. Vertetë Abazoviç është lider i URA-s, por realisht ai zotëron vetëm një mandat deputeti, atë të vetin. Tre mandate të tjera, vërtetë përfaqësojnë votuesit e URA-s, por jo detyrimisht do të kenë të njëjtën qasje ndaj faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe në rajon si Abazoviç.
Shqiptari 35 vjeçar ka dhënë garanci të plota për një Mal të Zi me synime të qarta drejt BE-së, përforcimit të pozicionit në NATO, mos terheqje e njohjes së Kosovës, zhdukje e korrupsionit dhe vendosje e drejtësisë së vërtetë. Për të realizuat të gjitha këto synime, përmes imponimit me 4 votat e tij koalicionit që pritet të qeverisë Malin e Zi, Abazoviç duhet të arrijë konsensus të qëndrueshëm, afatgjatë brenda URA-s së tij.
Në fakt, kjo është sfida kryesore e Abazoviç, nëse do të jetë pjesë e qeverisjes së Malit të Zi dhe nëse do të vazhdojë të artikulojë përherë e më shpesh në gjuhën shqipe. Gjuhë që është e tij, nënës dhe babait por që nuk e ka përdorur aq shpesh sa të identifikohet gjithmonë si shqiptar etnikisht i pastër e autokton. Abazoviç, i ka ardhur jo pak në ndihmë edhe pse thonë se mbiemri i tij i rrënjës është Abazi. A do të jetë i aftë Dritan Abazoviç të jetë konseguent dhe të terheqë pas vetës URA-n e tij? Përgjigjen duhet ta presim vetëm nga koha! /Nga Blerti DELIJA/