Kryesim nga minuta e parë deri në fund të ndeshjes. Vllaznia ka dhuruar spektakël duke entuziazmuar mbi 1 mijë tifozët në shkallët e “Qazim Dervishit” në atë që quhet “klasikja” e basketbollit shqiptar, ndeshja me Tiranën. Kjo ndeshje ka patur një spektator të veçantë, presidentin Ilir Meta, i cili ka zbritur edhe në fushë për të nderuar ish- basketbollistin Bledar Gjeçaj në 50 vjetorin e lindjes.
Vllaznia ka fituar periodën e parë 20 – 12, pjesën e parë 52 -27 për të shkuar në pushimin e ndeshjes. Edhe perioda e tretë ka vijuar me kryesimin e Vllaznisë, duke u mbullur me rezultatin 75 – 52. I gjithë takimi ka përfunduar me rezultatin e thellë, 96 – 68, gati 30 pikë diferencë. Vlen të theksohet mbështetja e zjarrtë që Vllaznia ka në shkallët e “Qazim Dervishit”, duke qenë një faktor plus në arritjen fitoreve.