Mësohet se kabineti i ri qeverisës do të ketë jo më shumë se 12 ministra, ndërsa, siç e shprehu edhe vetë Kryeministri Rama, parimi në ndërtimin e këtij ekipi do të jetë “më shumë me më pak”.
Grupi i punës që është marrë me studimin rreth efikasitetit të institucioneve i ka paraqitur një projekt Kryeministrit Rama, që parashikon grupimin e disa ministrive, agjencive dhe autoriteteve për një eficiencë më të madhe të punës së tyre.
Skema e re e strukturës së qeverisë synon të bashkojë Ministrinë e Bujqësisë me atë të Mjedisit, Ministrinë e Turizmit me Kulturën dhe Sportin, Ministrinë e Ekonomisë me Energjinë dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban me atë të Pushtetit Vendor. Po ashtu, diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë. Vetë Kryeministri Rama lajmëroi dje para ambasadorëve edhe emërimin e një ministri shteti për Diasporën.
Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i PDIUsë, Shpëtim Idrizi, është shprehur se ka propozuar një Ministri Emigracioni, ose për Diasporën. Duket se kjo ministri, sipas deklaratave të Kryeministrit Rama në fushatë, do të realizojë edhe votimin për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Mësohet se në strukturën e re të qeverisë, zv.kryeministri do të mbulojë funksionet e një prej ministrive të rëndësishme.
Qeveria aktuale ka në përbërje të saj 19 ministri, ndërsa bashkimi i disa ministrive duket se do të na kthejë në skemën qeverisëse të 2013-s. Duket se emrat e konsoliduar në kabinetin “Rama 2” do të jenë Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Mimi Kodheli e Lindita Nikolla, ndërsa pritet të ketë dhe emra të rinj. Mësohet se do të ketë një numër më të madh zv.ministrash, detyrat dhe kompetencat e të cilëve do të ndryshojnë pas bashkimit të disa ministrive. /panorama/