Dy vite më parë do të zhvillonte mbledhjen e parë Këshilli Bashkiak i Shkodrës, i dalë nga votimet e 30 qershorit 2019. Ka qenë një mbledhje e zhvilluar në mjediset e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, me një tension shumë të lartë, me qytetarë dhe forca policie në shesh. Pikërisht këtë mbledhje ka sjellë në vëmendje kryetarja e Keshillit Bashkiak Shkodër Brisela Kadija, duke postuar edhe disa foto nga mbledhja e parë.
Publikimi i Brisela Kadija ne Facebook
TBT: 19 Gusht 2019.
Mbledhja e Parë e Këshillit Bashkiak Shkodër të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit 2019. Zgjedhje në të cilat opozita për të parën herë, me vendim të sajin por jo të zgjedhësve të saj, nuk është pjesë e tij.
Këshilli Bashkiak i konstituuar i fundit në të gjithë këshillat Bashkiakë të Shqipërisë, mes polemikave të brëndshme dhe ato të kundërshtarëve politikë.
Me zotimin për të qënë përfaqësues të qytetarëve që na votuan por edhe të atyre qytetarëve që u privuan nga e drejta e votës e filluam angazhimin tonë në shërbim të qytetit.
Zgjodhëm të jemi evidentues të problematikave, që jo pak i kishte dhe prap i ka ky qytet.
Zgjodhëm të jemi debatues dhe pjesë e diskutimeve për zgjidhjet konsensuale të çështjeve të ndryshme që shqetësojnë komunitetin.
Shpesh jemi akuzuar si një këshill që çon kartonin jeshil në çdo projekt vendim por pak kush është thelluar të përshkojë rrugëtimin tonë deri sa mbërrin në etapën e fundit të dhënies së verdiktit final të vendimarrjes.
Zgjodhëm që këtij qyteti, ndoshta edhe me hapa breshke, t’ia ndryshonim mendësinë e të bërit politikë, duke eleminuar në maksimumin e mundshëm shfaqjen teatrale pozitë-opozitë, shfaqje të cilat ngrinin mure aq herë sa qeverisja qëndrore ishte e kundërt me atë lokale.
A ka akoma për të bërë? Ka aq shumë sa një mandat 4 vjeçar nuk mund të mjaftojë për të bërë.
A mundemi të bëjmë edhe më shumë e ndoshta me hapa më të shpejtë? Sigurisht që mundemi, por vetëm atëherë kur të jemi të gjithë bashkë për t’i shërbyer të mirës tonë të përbashkët. Atëherë kur të gjithë bashkë të bëhemi faktorë dhe aktorë të ofrimit dhe diskutimit të zgjidhjeve të mundshme te problemeve që ka qyteti dhe shqetësojnë qytetarët dhe jo duke drejtuar gishtin duke thënë: ” Nuk bëhet kështu dhe ti nuk di ta bësh”.
Atëherë kur të gjithë bashkë të jemi dakord që këtë qytet e bejmë ne qytetarët e tij, cilësdo force politike ti përkasim, dhe se vetëm atëherë kur lobimet të jenë të përbashkëta ky qytet do marrë vëmendjen dhe vendin që i takon në hartën e forcave politike, përtej verdikteve zgjedhore, dhe në hartën e Shqipërisë me 28.748 km² sipërfaqe.