Hallet nuk kanë fund te Vllaznia. Ditën e sotme, rreth 30 punonjës të stadiumit “Loro Boriçi”, dhe të tjerë të fushës sportive “Reshit Rusi”, si edhe trajnerë të akademisë “Vllaznia”, kanë dalë në një protestë, pasi sipas tyre kanë 5 muaj që nuk marrin pagat. Në ambientet e fushës “Reshit Rusi”, ata dolën duke i kërkuar Bashkisë Shkodër, që i ka në varësi, pagat që kanë muaj pa i marrë. Në mbështetje të tyre, ishte edhe Albert Tuka, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Tuka tha se një fond prej 200 milionë lekësh të vjetër i akorduar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës që në prill të këtij viti, nuk është kaluar nga ana e prefekturës së qarkut Shkodër, duke bërë që punonjësit të mos paguhen prej 5 muajsh. Ata kërkojnë që institucionet të gjejnë një zgjidhje dhe të marrin pagat sepse shumë prej tyre e marrin bukën me listë, apo nuk kanë para për të paguar enerjginë elektrike, tha ndër të tjera Tuka.
Ndërkohë, një prej punonjësve foli për mediat, ku deklaroi: “Gjatë 20 viteve që kam në stadium, problemi i rrogave është kryesisht me Astrit Gjyrezin, dhe tani së fundi, me Suad Licin. Problemi është se ne shkojmë dhe i themi Suad Licit, dhe që në momentin që ka ardhur, na ka thënë se nuk ka asnjë problem, por nuk ka para për t’u dhënë, e nuk ka çfarë bën. Ne nuk po kërkojmë rroga shtesë, as lehtësi pune, as 15-ditësha, as orë jashtë orari. Kërkojmë minimumi atë rrogë, që në Shkodër nuk e ka kush më të vogël se ne. Ata nuk na e japin. Këtu ka njerëz që janë për bukën e thatë, nuk kanë me çfarë të paguajnë dritat e ujin. Dikush nëse sëmuret, nuk mund të shkojë as në spital sepse nuk paguan dot ilaçet. Gjatë 6-7 viteve që ndodhin këto probleme, e nuk na janë paguar siguracionet, ne e kemi bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Puna jonë është e vështirë, sepse 2 ditë para ndeshjes, apo ditën e ndeshjes apo pas ndeshjes, kemi punë të vështirë. Megjithatë, ne e kemi përballuar. Ne kërkojmë rrogat, kemi bërë punën, ata të na paguajnë hakun”. /PanoramA/