VIDEO – PS publikon prezantimin e platformave të kandidatëve për kryetar në Shkodër, fjalimet e tyre “qethen” në montazh

Partia Socialiste ka publikuar prezantimin e platformave të kandidatëve për kryetar dege në Shkodër. Siç dihet, në prani të një komisioni vlerësimi por edhe auditori të përzgjedhur, 9 kandidatët mbajtën fjalimet e tyre para dy ditëve.

Takimi nuk u transmetua “live” dhe arsyeja, siç e parashikuam, është e kuptueshme. I gjithë takimi i zhvilluar pa praninë e mediave por i regjistruar nga vetë PS- ja, ka kaluar në një poces “qethjeje” përmes procesit të montazhit.


Fjalimet e të gjithë kandidatëve janë shkurtuar apo montuar, ndërsa nuk është e qartë se cilat pjesë janë hequr në pikën e montazhit, për të prodhuar një filmim rreth 1 orë e 30 minuta që është transmetuar më pas në rrjete sociale.

Në prezantimin e platformave, kanë qenë të pranishëm Blendi Klosi, Anila Denaj, Etilda Gjonaj dhe sigurisht, ministrja Edona Bilali, drejtuese politike e PS- së për Qarkun Shkodër.

Siç shihet nga pamjet e shpërndara, takimi është zhvilluar në një atmosferë festive dasme, në një lokal të njohur në shkodër që përdoret pikërisht për organizimin e eventeve familjare.

Pavarësisht këtij prezantimi, kryetari i PS- së Shkodër, ashtu si në degët e tjera, nuk do të zgjidhet nga antarësia në Asamble apo trupë më të zgjeruar, por do të emërohet. Me gjasë, në shumë degë, do të ketë bahkëkryetarë, një burrë dhe një grua, ide e artikuluar fort nga kryeministri Edi Rama.