Lulzim Basha para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së opozitës për Teatrin Kombëtar. Ai ka njoftuar mbështetjen e të gjitha protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, shoqërisë civile kudo në Shqipëri. Basha ka njoftuar fillimin e përgatitjeve për organizimin e protestave nga opozita, për largimin një minutë e më parë të të keqes së këtij vendi, Edi Rama.
Lideri i opozitës ka thënë se protestat do të organizohen me efekt të menjëhershëm, pavarësisht gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në fuqi deri me 23 qershor 2020. Do të respektohen të gjitha masat e higjienës, ka siguruar kryetari i PD-së.
Basha ka premtuar rindërtimin e Teatrit Kombëtar sapo qeveria demokratike të vijë në pushtet përmes votës së lirë. Po ashtu, ai ka paralajmëruar se të gjithë ata që e shembën, duke nisur nga Edi Rama, do të vihen përpara drejtësisë.
Në fjalën e tij, Basha i është rikthyer marrëveshjes së tre viteve më parë me Edi Ramën, duke e quajtur të gabuar dhe duke premtuar se nuk do të përsëritet më kurrë. /ShkodraWeb Media/