Familjarët e Rexhina Debrova e cila humbi jetën një orë pasi lindi fëmijën e saj të parë, janë mbledhur sot para Gjykatës së Elbasanit. Ata kanë protestuar për vendimin e dhënë për dy mjekët e vënë në pranga, të cilët janë caktuar me detyrim paraqitje.
Në këto pamje shihen disa nga familjarët e 25-vjeçares, mes tyre bashkëshorti dhe nëna e saj duke mbajtur në krahë foshnjën e sapolindur, të cilët me zërin që u dridhet e mes lotëve kanë kërkuar drejtësi për humbjen e jetës së të resë.
Sot në orën 10:30, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan u zhvillua seanca e vlerësimit të masës së sigurimit për dy mjekët e arrestuar pas vdekjes së 25 vjeçares Rexhina Debrova ,pas lindjes së fëmijës së saj të parë në maternitetin e Elbasanit .
Prokurori Xhelian Seferi pasi referoi para gjykatës hetimin e plotē të çështjes nē ngarkim tē dy mjekëve kërkoi që ndaj tyre të caktohej masa “Detyrim Paraqitje” .
Edhe Gjyqtarja Pajtime Fetahu pasi u tërhoq për vendim bëri me dije se la në fuqi kërkesën e Prikurorit.
Ndërsa Demir Çiftja, avokat i Mjekut Reanimator Nikollaq Thano, kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit, arrestimi i reanimatorit Nikollaq Thano është i paligjshëm.
Avokati i kërkoi gjykatës moscaktim të asnje mase penalizimi ndaj klientit të tij pasi ai ka kryer detyrën me korrektësi dhe nuk rezulton të ketë asnjë shkelje të protollit të mjekimit të pacientes që fatkeqësisht për shkak tē njē komplikacioni tē rrallë humbi jetën pas operacionit .
Edhe Ilir Murra, avokati i mjekut kardiolog Mehmet Ibaj kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit Murraj, arrestimi i mjekut kardiolog është i paligjshëm dhe ndaj tij nuk duhet të jepet asnjë masë.