VIDEO – “Bashkë me tifozët ia dalim”, ndeshja me Partizanin që vlen një sezon, Gurishta e Krymi para mediave…

Vllaznia luan nesër në orën 17:45 gjysmëfinalen e dytë përballë Partizanit. Ndeshja e parë përfundoi pa gola në “Elbasan Arena”, por me një gol të anulluar për Vllazninë në minutat e fundit që shkaktoi pakënaqësi te shkodranët.

Kapiteni Erdenis Gurishta është rikthimi në skuadrën e Vllaznisë për ndeshjen e së mërkurës, dhe sot ai ka folur në konferencë për mediat. Gurishta theksoi se kërkon ndihmën e tifozëve dhe është i bindur për kualifikimin me të kuqtë.


Konferenca për shtyp e Gurishtës:

Ftesa për tifozët: “Vijmë nga një moment delikat dhe na duhen të gjitha forcat që të shkojmë në finale. Na duhet ndihma dhe mbështetja e tifozëve. Pavarësisht situatës jo të mirë që po kalon ekipi. Na duhet ndihma e tifozëve dhe bashkë me tifozët mendoj se kemi mundësi dhe do t’ja dalim ditën e nesërme”.

Sa ju ka munguar skuadra? “Më ka munguar shumë dhe e kam përjetuar shumë në tribunë dhe në stol kur kam qenë, kam dashur që të isha në fushë,por ishte e pamundur sepse dëmtimi më la shumë gjatë jashtë fushës, por nesër do të jem në fushë do të jem aty për ekipin dhe shpresoj që t’ja dalim”.

Përkeqësimi: “Është e vërtetë që u përkeqësua, ndodhën shumë gjëra bashkë. Gjendja psikologjike e ekipit ishte e rënduar. Rezultate jo të mira që nga momenti i humbjes ndaj Tiranës, u përjetua shumë keq në Shkodër dhe ekipi filloi të kishte shumë probleme shumë mungesa. Gjendja fizike ishte e rënduar për shkak të mungesave, por i kemi lënë të gjitha pas dhe jemi fokusuar te ndeshja e nesërme, pasi është e vetmja mundësi e jona që të përsërisim atë të vitit të kaluar”.

Dëmtim dhe rikthim me Partizanin: “Kështu rastisi u dëmtova me Partizanin dhe u riktheva me Partizanin. Shpresoj të jem në gjendjen time optimale dhe të ndihmoj ekipin. E ndjeva për të thënë të vërtetën ndoshta nuk jam në 100% tim, por e ndjeva të jem aty për ekipin ose të gjithë bashkë të shkojmë në finale ose të gjithë bashkë të dështojmë”.

Kualifikim brenda 90 minutave apo me shtesë? “Të them të vërtetën nuk e kam menduar as kohën shtesë as penalltitë, unë besoj shumë te kualifikimi dhe jam i bindur që do kualifikohemi. Jam munduar që t’ja imponoj edhe skuadrës këtë besim dhe them se nesër do ta fitojmë ndeshjen. E di që do jetë shumë e vështirë pasi Partizani në këto ndeshjet e fundit është kthyer te ai Partizani i frikshëm e cinik, por duhet shumë besim dhe duhet të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë ekipin në finale, pasi është i vetmi shpëtim për skuadrën”.

Edhe mesfushori i shkodranëve, Ardit Krymi, foli për këtë sfidë në konferencën përpara ndeshjes.

“Siç ka ardhur situata mendoj se ndeshja me Partizanin është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, sepse siç ka shkuar kampionati duhet të japim maksimumin. Jam i kënaqur që është kthyer Gurishta, sepse i duhet ekipit. Të dalin të dy kapitenët mendoj se kjo tregon që do e marrim përsipër ndeshjen.

Do japim 100% në nesër siç e dhamë në ndeshjen e parë. Ata na anuluan një gol të rregullt në minutën e 90’. Kemi për t’u bërë më të fortë. Ne objektivat i kemi pasur të qarta. Objektivi minimal i yni ka qenë Europa. Mendoj se futbolli po nuk pati pak presion nuk është i bukur.

Pa tifozë nuk kemi ku shkojmë. Ata janë ndihmë e madhe për ne dhe mendoj që me ta jemi të pamposhtur. Duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë, sepse dihet se si shkon ndeshja gjysmë finale e Kupës dhe do të mundohemi ta mbyllim brenda 90 minutave.

Kualifikimi në finale do të na japë besim në fazën e mbetur të kampionatit, sepse nuk ka mbaruar gjë në kampionat. 5 pikë nuk janë shumë”, ishin fjalët e Krymit.