VIDEO – Aksidenti fatal i dy ditëve më parë në Beltojë, ndërron jetë 30 vjeçari, nëna e tij në gjendje të rëndë në spital

Dy ditë më parë në vendin e quajtur Beltojë në afërsi të qytetit të Shkodrës, ndodhi një aksident i rëndë. Tre mjete, një i drejtuar nga një shqiptar, një nga një kosovar dhe një tjetër nga shtetas malazez, u përplasën mes tyre.

Si pasojë, mbetëm të plagosur 6 persona, mes të cilëve më rëndë drejtuesi i mjetit “Opel”, shtetasi shqiptar Ildi Gjeka, 30 vjeç nga Bulqiza. Siç edhe të lënduarit e tjerë, ai u dërgua për mjekim në spital.


Fatkeqësisht, 30 vjeçari nuk ka mundur ti mbijetojë dëmtimeve nga aksidenti, duke humbur jetën mbrëmjen e kaluar. Në media u publikua edhe një njoftim për gjak 0 pozitiv, pikërisht për të shpëtuar 30 vjeçarin. Mësohet se edhe nëna e tij, Dasha Gjeka, edhe ajo në spital, vijon të jetë në gjendje të rëndë për jetën.

NJOFTIMI I POLICISË PËR NGJARJEN E RËNDË

Më datë 22.08.2022, rreth orës 15:20, në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë”, në fshatin Beltojë, janë përfshirë në aksident rrugor, automjeti tip “Opel”, me drejtues shtetasin I. Gj., 30 vjeç, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin malazez P. G., 42 vjeç dhe automjeti tip “BMW”, me drejtues shtetasin kosovar A. B., 24 vjeç.

Si pasojë e këtij aksidenti, janë dëmtuar të tre drejtuesit e automjeteve, njëri prej të cilëve, shtetasi I. Gj. është në gjendje të rëndë, si dhe janë dëmtuar gjithashtu shtetasit D. Gj., 54 vjeçe, O. G., 44 vjeçe dhe A. H., 25 vjeçe, pasagjere në këto automjete.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.