Ishte nisur nga Tirana drejt Lezhës me mjetin, por udhëtimi i tij merr fund në vendin e quajtur “Kthesa e Patokut” në Laç. Një shtetas 31- vjeç është spiunuar nga qytetarë lidhur me diçka të paligjshme që po transportonte me makinën e tij. Të paktën, këtë version zyrtar ka shpërndarë Policia e Shtetit për aksionin “Patoku”. Makina me të cilën udhëtonte i riu, është ndalur nga policia e cila ka nisur kontrollin e imtë.
Në pamje të parë, çdo gjë dukej normale deri sa është hapur një televizor që ishte brenda makinës. Në brendësi të tij, uniformat blu kanë gjetur një lëndë që nuk kishte lidhje me teëevizionin. Sipas policisë gjithmonë, ishte një sasi lënde narkotike, prej 3 kile, e dyshuar si kanabis sativa. Menjëherë, 31- vheçarit i janë hedhur prangat duke u arrestuar në kushtet e flagrancës.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Patoku”, sekuestrohet lëndë narkotike, në pranga poseduesi.
Specialistët e hetimit të narkotikëve, mbi bazën e një informacioni të marrë nga qytetarët për një shtetas i cili ishte nisur nga Tirana në drejtim të Lezhës, dhe me automjetin e vet po transportonte lëndë narkotike, menjëherë kanë organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Patoku”.
Në aksin rrugor Tiranë -Lezhë, në kthesën e Patokut, Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë ku kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit së bashku me drejtuesin shtetasin N.N., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në brendësi të një televizori, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.N dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale,”Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, neni 283 i Kodit Penal.