
Bashkëpunimi i policisë me qytetarët ka rezultuar jetik në një tjetër aksion të uniformave blu. Të paktën sipas asaj që deklarohet nga vetë Policia e Shtetit. Sipas njoftimit zyrtar të policis, katër persona janë vënë në pranga sot nga policia e kryeqytetit. Elvis Gaçaj, Oltion Loga, Leonard Duka dhe Dritan Agaj, emra të njohur për policinë dhe me një të shkuar të errët ishin nën hetim prej kohësh nga Prokuroria. Të prangosurit dyshohet se ishin pjesë e një grupi që realizonte trafikun e “mallit” drejt Europës. Më poshtë, komunikate e policisë dhe detajet.
Njoftimi i policisë
Bashkëpunimi me qytetarët për të luftuar krimin vë në pranga katër shtetas për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Sekuestrohen mjet i blinduar, armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e dyshuar lënde narkotike.
Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në D.V.P Tiranë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për disa persona që dispononin armë e drogë, arrestoi në flagrancë shtetasit:
D., 33 vjeç, banues në Tiranë;
A., 38 vjeç, banues në Tiranë;
L., 38 vjeç, banues në Tiranë;
G., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Policia ka ushtruar kontroll në banesën me qira ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundra ligjshme.
Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundra ligjshme duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
– Një mjet të blinduar;
– Një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë;
– 46 fishekë luftarak, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes të personave të tjerë.
Materialet do ti kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve e municionit luftarak e kryer në bashkëpunim”.