ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

“Sot, shansi i fundit për…”, mësuesit që kanë aplikuar në portal për punë kanë mundësinë të riparojnë gabimet…

Ndryshimi i mënyrës së aplikimit për punë nga mësuesit ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të gabojnë në hedhjen e të dhënave në sistem. Kjo është vënë re nga mbledhja dhe përpunimi i databazës së aplikuesve. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka vendosur të rihapë sërish portalin e aplikimeve, njoftim për të cilin ka vënë në dijeni Drejtoritë Arsimore. “Ju njoftojmë që për të gjithë mësuesit që nuk kanë pasqyruar preferencat e tyre në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’ apo që kanë mungesë në sistem të ZVA (Zonave Vendore Arsimore), do keni mundësi të logoheni në portal ditën e mërkurë, datë 10.07.2019, nga ora 08:00-17:00″. Nga afro 6 mijë aplikantë për punë, në testimin e informatizuar do të futen rreth 4300 prej tyre.

Loading...

Pjesa tjetër kanë vendosur të konkurrojnë për punë me pikët e vitit të kaluar. Fituesit për vendet e reja që pritet të hapen këtë fillimshtator do të përllogariten nga shumatorja e pikëve që kanë mbledhur nga vlerësimi i dosjes profesionale dhe testimit. Ky i fundit ka shumë rëndësi për ta, pasi përmban 80% të peshës së totalit. Pas hartimit të datave për nëntë profile mësuesie që futen në provim që këtë muaj, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka bërë gati edhe datat e testimit për 13 profile të reja, që testohen përgjatë muajit gusht. Në faqen zyrtare të QSHA-së, kandidatët e interesuar mund të gjejnë lëndën përkatëse për të cilën kanë studiuar. Me rëndësi, përveç datës, është ora e provimit.

Në bazë të një liste profilesh me emrat e mësuesve, e cila updatohet çdo ditë, kandidatët duhet të paraqiten në ditën e caktuar pranë ambienteve të QSHAsë, gjysmë ore përpara dhe me dokumentet me vete. Këtë herë, gabimet në orar dhe dokumentacion i penalizojnë nga provimi e rrjedhimisht, edhe në garën për punë. Mësuesit do të testohen përgjatë më shumë se një muaji, nga data 11 korrik deri më 22 gusht.

Ato nisin me mësuesit që përbëjnë numrin më të madh, ata të Gjuhë Letërsisë e Arsimit Fillor për të përfunduar me mësuesit e Historisë, Gjeografisë, Biologjisë e Kimisë. QSHA ka hartuar dhe bërë publike edhe listën e parë me emrat që do të testohen. Gjithë çfarë iu duhet kandidatëve është karta e identitetit, një kopje e saj, si dhe formulari i pjesëmarrjes në testim. /Nga Besarta BASHA, PanoramA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.