Shkruan në Facebook kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi: “Në jetën e një kombi ka ngjarje që kanë peshën e gur- themelit në fatet e tij. Kryengritja Antikomuniste e Postribës 74- vjet më parë, ishte sinjali i fortë se diktatura komuniste nuk do të thyente rezistencën e shqiptarëve.
E para në Europën e Lindjes, Kryengritja Antikomuniste e Postribës, tregoi se shqiptarët do të përballeshin me të gjitha mënyrat, me çdo mjet, me regjimin e egër komunist. Ndoshta të parët në Europën e Lindjes, burra e gra, të rinj e të reja, pjesëmarrës e përkrahës të kësaj Kryengritje, e kuptuan rrezikun që i kanosej Shqipërisë dhe reaguan.
Mesazhi i kësaj Kryengritje 74 vjet më parë, “Kush të dojë e kush të mundet…”, vazhdon të jetë aktual edhe sot dhe detyra jonë është ta përmbushim në emër edhe të fëmijëve tanë!
Sot më shumë se kurrë Shkodra e Shqipëria kanë nevojë për frymën antikomuniste të Kryengritjes së Postribës.
Respekt dhe mirënjohje për jetë heronjve e martirëve të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës!”, përfundon shënimin e saj në Facebook qytetarja e parë e Shkodrës, Voltana Ademi.