Konflikt mes dy të rinjve, 20-vjeçari goditet katër herë me mjet prerës pas shpine. Policia bëri të ditur se një i ri ka mbetur i lënduar të hënën në qytetin e Shkodrës. I plagosur është Niko Podja, 20 vjeç, banues në lagjen “3 heronjtë”, ndërsa autori është identifikuar si Faust Pali, 27 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:45 përballë shkollës së mesme profesionale “Kolë Margjini”.
Sipas Policisë, 20- vjeçari u qëllua me thikë disa herë pas një sherri verbal me autorin. Identiteti i këtij të fundit u zbulua vetëm pak minuta pas mbërritjes në vendin e ngjarjes të grupit hetimor. Por, pavarësisht kësaj, forcat e Policisë nuk arritën të bëjnë të mundur arrestimin e Faust Palit, banues në Shkodër.
Ai e la të shtrirë përtokë të riun Niko Podja, ndërsa vetë u largua me shpejtësi. Ndërkohë, menjëherë në vendngjarje mbërriti një autoambulancë e Spitalit Rajonal të Shkodrës, e cila transportoi drejt urgjencës 20-vjeçarin. Ai u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore, por pas ndihmës së parë mjekësore e kaloi rrezikun për jetën.
Nga burimet spitalore, Niko Podja ka marrë nga autori i dyshuar Faust Pali katër goditje me thikë. Goditjet, sipas mjekëve, i plagosuri i ka në shpinë. Pasi ka bërë skanerin, gjendja e tij shëndetësore është pa komplikacione. Në vendngjarje, menjëherë pas kësaj plagosjeje rreth orës 15:45 të së hënës mbërritën edhe forcat e Policisë. Fillimisht, mësuan për plagosjen e 20-vjeçarit.
Pas veprimeve të para hetimore u arrit të identifikohet autori i plagosjes, Faust Pali. Efektivët nga hetimet e para të bëra kanë mësuar se ngjarja mes të rinjve ka ardhur pas një konflikti të çastit, që ka çuar më pas në plagosjen e të riut. Ende janë të paqarta arsyet e këtij sherri mes tyre që solli plagosjen.
Forcat e Policisë po punojnë për të zbardhur të plotë ngjarjen. Pas identifikimit të autorit të dyshuar Faust Pali, Policia është vënë në ndjekje të tij. Efektivët kanë ushtruar kontrolle në banesën e 27-vjeçarit, por nuk është gjetur aty. Në qytetin e Shkodrës në shumë prej rrugëve kyçe që lidhin zona të ndryshme janë ngritur postblloqe, ndërsa po punohet edhe në rrugë operative për të siguruar vendndodhjen dhe më pas ndalimin e autorit.
Sipas grupit hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, konflikti mes të rinjve dyshohet se ka ndodhur për një fjalë goje mes tyre, që më pas çoi në plagosjen e 20-vjeçarit. Pritet që oficerët e Policisë të marrin në pyetje dhe vetë të plagosurin për të mësuar diçka më shumë mbi ngjarjen dhe nëse dy të rinjtë kanë pasur konflikt të mëparshëm.