Shkruan në Facebook deputeti i Qarkut Shkodër Benet Beci: Një ndër akset kryesore me të rëndësishme të qarkut Shkodër është rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj (Theth). Aksi përshkon te gjithë zonën e Dukagjinit dhe një degëzim në lindje të këtij aksi (Lotaj-Lekbibaj) lidh zonën dhe Shkodrën me Lekbibajt në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës dhe më tej Gjakovën në Kosovë.
Ky aks i gjatë dhe i vështirë malor është shumë i rëndësishëm për kompletimin e rrjetit rrugor të Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit. Nga ana tjetër rruga lidh komunitetet e fshatrave të ish-komunave Kir, Shosh e Shalë me Shkodrën duke mundësuar rigjallërimin social dhe ekonomik të tyre.
Kolegët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit më dhanë lajmin e mirë se së shpejti do të fillojë projekti i detajuar teknik i kësaj rruge dhe se Banka Botërore në kuadër të kredisë për projektin e rrugëve dytësore ka rënë dakord në parim të financojë ndërtimin e kësaj rruge.
Angazhimi serioz i insitucioneve të Qeverisë Shqiptare për zgjidhjet teknike dhe gjetjen e financimit për këtë investim mjaft të madh është një sinjal shumë i qartë dhe konkret për mbështetjen e qarkut Shkodër. Jam i bindur që me përpjekjen e te gjithëve do ta mund ta kthejmë në realitet edhe këtë projekt.