Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas letrës së presidentit Ilir Meta për situatën e pandemisë.
Në një postim në twitter, Rama thotë se Presidenti nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në punën e ekspertëve, ndërsa e këshillon që sëpari të fillojë të mbajë maskën.
“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!” shkruan Rama.
Rama nënvizon se janë ekspertët ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit.
Kryeministri thotë se rritja e numrave është brenda parashikimeve.
“Ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta” deklaron Kryeministri.
Sa i takon Ministres së Shëndetësisë, Rama thotë se Manastirliu meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që sipas tij po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse.