Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka ardhur reagimi i Presidentit të vendit Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook: “E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese.
Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën.
Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës. HTH”, shkruan Thaçi.
Pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që t’i japë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin për kryeministër, vjen një reagim edhe nga radhët e qeverisë në largim dhe Vetëvendosjes.
Këtë vendim, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, e ka quajtur “skandaloz”, ndërsa ka thënë që ky vendim do të shkaktojë “revoltë qytetare”.
“Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë.
Gjithçka më pak se 51 e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare”, ka deklaruar ai në Rubikon.
Kushtetuesja vlerësoi se presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja.