Zyra e Kryeministrit njofton se shefi i qeverisë, Edi Rama e ka anuluar urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, Gazment Bardhi duke bërë të qartë se dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i Ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë.
“Nëse nga hetimi administrativ do të verifikohen shkelje të ligjit, regjistruesit që i kanë bërë këto shkelje duhet të shkojnë përpara drejtësisë.
Qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkele këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre, po një skuadër që drejtohet nga Kryeministri dhe funksionon mbi bazën e parimit të thjeshtë të aprovimit paraprak nga Kryeministri, të veprimeve administrative apo komunikimeve të ministrave me publikun”,- sqarohet nga zyra e Kryeministrisë.
URDHRI I BARDHIT
Ministri i Drejtësisë nga radhët e PD-së vendosi të pezullojë sot kërkesat për dorëheqje të krerëve të hipotekave në rrethe, kërkuar nga kryeministri Edi Rama. Bardhi tha se ka një tjetër zgjidhje dhe tha se, fillimisht duhet të kontrollohet puna e tyre, me anë të një grupi të posaçëm e më pas kushdo nga krerët e ZQRPP që ka kryer shkele, do largohet nga detyra me masën disiplinore shkarkim nga detyra dhe jo me dorëheqje.