Pas ndërhyrjes së Bashkisë Shkodër, ndërpriten punimet tek Pedonalja e Molos, reagojnë edhe deputetët Beci e Bushati

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është tërhequr nga projekti aktual për By- Pass- in e e Shkodrës, Loti i 2. Ditën e sotme, subjekti sipërmarrës i këtij projekti, i cili deri tani nuk ka akoma as lejen e ndërtimit të Bashkisë Shkodër, kishte paralajmëruar publikisht mbylljen e Pedonales së Molos dhe fillimin e punës për ngritjen e saj në nivelin që ka sot shtrati i By- Pass-it, duke e shkatërruar shëtitoren e preferuar të shkodranëve, njëkohësisht duke zhdukur edhe panoramën e Bunës e Liqenit të Shkodrës.

Menjëherë, publikisht ka reaguar Bashkia e Shkodrës përmes një komunikimi zyrtar për mediat, duke njoftuar edhe marrjen e të gjitha masave ndaj subjektit ndërtues, i cili nuk dispononte as leje për punimet e sotme.

“Bashkia Shkodër është dakordësuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për propozimin për rishikimin e projektit të investimit “Ndërtim i By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 2”, sipas konsultimit publik dhe kërkesës së qytetarëve të Shkodrës.

Në kërkesën e saj, të mbështetur edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit,
• në kushtet e reja të krijuara ku ka humbur relevanca e funksioneve urbane dhe kontekstit ligjor të projektit “Ndërtim i By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 2”,
• në vijim të shkresave dhe kërkesave të përsëritura të Bashkisë Shkodër,

është propozuar dhe është rënë dakord që:

• të bëhet përshtaja në gjurmë, gjeometri dhe altimetri e projektit, duke e kthyer në nje segment urban dytësor në funksion të parkut të qytetit.

ShkodraWeb Channel

Është propozuar që kjo pjesë të trajtohet në kuadër të rishikimit të projektit “Rikualifikimi Urban i Hyrjes së Qytetit të Shkodres dhe Parkut për Pushuesit” për t’u bërë pjesë inlegrale e këtij parku.

Bashkia Shkodër kërkon nga subjekti ndërtues që të ndalohen menjëherë punimet vijuese.

Për këto punime që po kryhen sot, subjekti nuk ka leje ndërtimi, dhe nuk është i autorizuar të vijojë nga askush, as nga institucione vendore e as nga institucione qendrore. Bashkia Shkodër do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj si administratore e territorit, duke marrë të gjitha masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.”, thuhej në njoftimin e Bashkisë Shkodër.

Nuk ka vonuar dhe ka ardhur reagimi indirekt edhe i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ka qenë ish- drejtori jetëgjatë i FSHZH- së, sot deputet i Shkodrës, Benet Beci, i cili ka lënë të kuptohet se sipërmarrësi ndëtues ka vepruar në kokën e vet. Në një publikim të Benet Becit në Facebook, lexohet:

“Të nderuar miq, siç jeni në dijeni, projekti i bypass-it te Shkodres, sidomos bypass 2, ka problematika të mbartura zgjidhjesh jo optimale teknike prej shumë vitesh. Jam marrë në mënyrë intensive me këtë cështje që para marrjes së mandatit të deputetit. Pas diskutimeve intensive me qytetare dhe eksperte te Shkodres unë jam i mendimit se bypassi 2 (segmenti që vjen afër shëtitores së molos), nuk është zgjidhje as për trafikun as për përmbytjen, madje krijon një barrierë artificiale mes qytetit e lumit Buna dhe liqenit.

Për këtë arsye kemi angazhuar një nga planifikuesit dhe arkitektët më të mirë që kanë punuar në Shqipëri Z.Jesus Hernandez për të hartuar një koncept e projekt dinjitoz për një zgjidhje sa më të përshtatshme funksionale, mjedisore dhe estetike për qytetin. Për këtë arsye, u takova sot me Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Shqiptar të Zhvillimit Z.Dritan Agolli dhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Z. Evis Berberi. Megjithëse çështja është mjaft e ndërlikuar nga pikëpamja teknike, ligjore dhe administrative, me vullnetin e mirë të drejtuesve te institucioneve, do të veprohet si më poshtë:

-Duke qenë se pavarësisht instruksioneve që kompania ka patur për të mos vijuar punimet dhe ato kane vijuar; ARRSH ka dërguar sot pranë kompanisë së ndërtimit që po punon në bypass 2 urdhrin taksativ për ndërprerjen e menjëhershme të punimeve.

-Me Fondin Shqiptar te Zhvillimit po punojmë për hartimin e një projekti të detajuar për pjesën e hyrjes së Shkodrës. Deri sa të kemi një zgjidhje të plotë, të diskutuar në mënyrë të hapur e të pranueshme për mjedisin dhe hapësirat publike të qytetit; nuk do të ketë më punime të reja në lotin e 2-të të bypass. Falenderoj qytetarët, aktivistët e grupet mjedisore e të shoqërisë civile për shprehjen e reagimeve të tyre; jam optimist që një projekt të vështirë e të konceptuar gabim mund ta kthejmë në mundësi për një model të ri zhvillimi për qytetin.”, shkruan deputeti Beci.

Edhe Helidon Bushati, deputet i PD- së Shkodër ka reaguar lidhur me këtë projekt, duke nënvizuar se duhet të dëgjohen qytetarët e Shkodrës dhe kerkesat e tyre.

“Me të drejtë shumë banorë të Shkodres janë të paqartë mbi projektin e By-Pass-it. Investimet duhet të jenë për qytetarët, në shërbim të tyre dhe kurrësesi në kurriz të Shkodrës. Ky projekt, sot po merr një kthesë pa asnjë degjesë me qytetarët, duke e mbajtur projektin e fshehur në sirtar larg tyre. Kjo nuk mund të ndodhë!

Shkodres t’i tregohet e vërteta, qytetarët të njihen me projektin dhe të dëgjohet zëri i tyre. Për çdo ndryshim, të pyeten qytetarët dhe ekspertët. Ata që po e shohin këtë projekt si oportunitet të interesave të tyre, e kanë gabim. Fatet e Shkodrës nuk janë pronë e zyrtarit të rradhës.”, shkruan Helidon Bushati në Facebook.

Projekti që u tentua të vazhdonte sot, është kundërshtuar jo vetëm nga qytetarët shkodranë dhe qeverisja vendore si zëdhënëse e tyre, por edhe nga ambjentalistë të njohur në Shkodër. Buna dhe Liqeni, të shtrira përgjatë Pedonales së Molos, janë dy pasuri që natyra apo Zoti ia ka falur Shkodrës e shkodranëve dhe askush nuk duhet të mendojë se mund t’ia fshehë apo zhdukë nga sytë. Sot, këmbëngulja e Bashkisë Shkodër, veprimi i shpejtë i strukturave të saj, bënë që zëri i qytetarëve të dëgjohej dhe Pedonalja e Molos të shpëtohet. Të paktën tani për tani! /ShkodraWeb/

ShkodraWeb Channel

Open

Close