Nuk ishte aspak e vështirë të parashikohej se Sandër Lleshaj, nuk do të ishte më ministër i brendshëm i Shqipërisë. Vizita e kryeministrit në familjet e 25 vjeçarit Klodian Rasha, ishte sinjali më i qartë. Mungesa e Lleshajt në krah të Ramës, tregoi se tashmë fajtori ishte identifikuar…
Nuk është aspak e vështirë të mendohet se edhe me “dorëheqjen” apo “shkarkimin”, Lleshaj i bëri një sherbim të fundit Edi Ramës. Në daljen e tij në orën 18.00 zë ditës së sotme, shefi i qeverisë deklaroi se “ministri më ka paraqitur dorëheqjen menjëherë pas ngjarjes”. Kryeministri deklaroi se i kishte thënë të priste sa të kthehej nga Nju Jorku. Pak minuta pas fjalës së shefit të tij, Lleshaj në apologjinë e tij, foli për “dorëheqje të parevokueshme”. Për ata që nuk e kuptojnë, dorëheqje e pakthyeshme.
Nëse ministri i brendshëm kishte paraqitur dorëheqje të parevokueshme, pse duhej pritur kthimi i kryeministrit për të publikuar? Aq më shumë, pasi Rama bëri apologjinë e radhës, tashmë dukshëm patetike, me në sfond fajësimin e opozitës për protestat e rikthyera dhe të dirigjuara, sipas Ramës, nga Basha e Berisha.
Më shumë se një dorëheqje, është një shkarkim dhe për të ruajtur “erzin” e mazhorancës, deri diku edhe të Ramës e Lleshajt, u vu në zbatim skena për përfitime në kuadër të imazhit publik.
Skenari është i thjeshtë. Edhe pse në Nju Jork, Rama kishte të gjitha mundësitë ti drejtohej shqiptarëve me audio e video, siç bëri edhe sot. Mesazhi i kryeministrit, ishte i pararegjistruar dhe frymëmarrja e tij, tregonte se edhe ishte montuar, shkruajtur e lexuar me mjaft nxitim.
Edhe nga Amerika, kryeministri mund të njoftonte se ministri i tij kishte paraqitur dorëheqjen. Ndoshta, edhe duke ndikuar në mospërhapjen e protestave. Nga ana tjetër, vetë Lleshaj, nëse kishte paraqitur dorëheqje të parevokueshme, nuk kishte pse t’ia linte “erzin” Edi Ramës. Por duhej që Rama të negocionte një vizitë ngushëllimi në familjen Rama, tu linte në tepsi “kokën” e Lleshajt e sipas gjasave, edhe të Veliut sapo të emërohet ministri i ri i brendshëm.
Sandër Lleshaj, nuk kishte rrugë tjetër për të vijuar “të ëndërrojë” për një karrige. Nga sot, do të humbë të gjitha privilegjet jo të pakta. Edhe BMW-ja e serisë 7, nuk do të shfrytëzohet më nga ai. Si ish- gjeneral, pasi ka dhënë dorëheqjen tek Presidenti Meta, praktikisht, mbetet i papunë. Edhe vetë kryeministri, e ka të vështirë ta rikthejë si këshilltar, siç e pati para se ta emëronte ministër.
E vetmja rrugë për të mbajtur ndezur një shpresë, ishte të vazhdonte ti sherbente politikisht shefit të tij. Duket e vështirë, por Lleshaj shpreson të jetë pjesë e strukturës politike të mazhorancës, si i deleguar në ndonjë qark apo edhe kandidat për deputet në ndonjë listë. Edhe pse duket disi e vështirë. Dorëheqja e sotme, motivet e saj, jeta e humbur e një 25 vjeçari nga “policë që janë fytyra e tij”, do ta ndjekin pas gjatë. Megjithatë, nuk ngurroi ti kryente edhe sherbimin e fundit shefit të tij. Po me kosto…të lartë! /Nga Blerti DELIJA/