Nga Kozeta BRUÇI, gazetare
Tashmë u bënë 12 ditë që nga momenti kur patëm kontaktin e parë me to. Dy motra me një karrocë në qendrën e njësisë Gruemirë dhe me të tretën që priste në shtëpi. Xhirimet zbuluan për Tv1 Channel, një katastrofë të pabesueshme varfërie, aq sa humbëm nga hutimi edhe rrugën në kthim me operatorin Sokol Gjoni. Nxituam të bënim publikimin (fillimisht në rrjetin FB), ashtu si kohë më parë e kishte bërë gazetari Gezim Vuçaj, (meqë rasti ishte në bashkinë ku ai jeton dhe punon).
Publikimi, natyrshëm tërhoqi vëmendjen e mediave, edhe atyre kombëtare, të cilat e amlifikuan më shumë rastin në fjalë. Përgjatë 10 ditëve u jam përgjigjur me dhjetra mesazheve, të cilat do t’i ndaja në disa kategori: mesazhe që shprehin thjesht keqardhje, mesazhe ku bëhen premtime për ndihmë por mbetën deri aty, mesazhe nga persona pa identitet në rrjetet sociale, të cilët hedhin baltë mbi motrat dhe të afërmit e tyre (kuptohet zilia nuk i lë rehat disa) dhe mesazhe për ndihmë konkrete pa deklarata bombastike, por të formuluara me pak fjalë dhe hapa konkretë. Kuptohet, këto të fundit morën më shumë vëmendje.
Ndërkohë vizitat nisën tek 3 motrat. Njerëz human dhuruan. Kuptohet në raste të tilla nuk munguan edhe show mediatik, përgezime në rrjetet sociale ndaj kontribuesve, një fondacion që mesa kuptova do hapë edhe një llogari bankare në grumbullimin e parave për ndërtimin e shtëpisë etj.
Në fakt sot dita ime ka qenë në një seri telefonatash. Sot jam disi skeptike për fatin e 3 motrave. Sepse pikërisht sot, pas bërjes publike të fondacionit që ka marrë përsipër hapjen e llogarisë bankare për grumbullimin e parave, pikërisht pas kësaj shpallje në rrjetet sociale të lajmit, hoqi dorë nga ndihma një fondacion tepër serioz në Shqipëri, po ashtu edhe një biznesmen shqiptar në Dubai, të cilet kishin qëllim kryesor restaurimin e shtëpisë dhe sigurimin e ushqimeve për 4 muaj për 3 motrat.
Tani nuk di se çfarë të mendoj. U ngrit një pluhur i madh mediatik?! A do ndihmohen realisht në ndërtimin e shtëpisë?! Mos vallë humbën një mundësi më të mirë?! Etj, etj, etj.
Nuk e kuptoj pse u bë kjo rendje kaq e madhe mbas një rasti të tillë, ndërkohë që në messenger sa vjen dhe shtohet rasti i familjeve të tjera që kanë kërkuar ndihmë më përpara nga mediat, ose po e bëjnë këtë veprim për herë të parë. ” U shpupurisën” dhe mjaft shoqata të cilat vrapuan për rastin në fjalë dhe që patën pranë dhe përfaqësues të pushtetit vendor. A nuk kanë jetuar aty me përpara këto motra?!
Unë e çmoj tej mase humanizmin njerëzor, por mendoj që ai të mos shoqërohej patjetër me fasadën mediatike, të ishte më me pak zhurmë, të ishte më dinjitoz dhe më i shpërndarë edhe për dhjetra familje të tjera. Unë mendoj se duhen përmirësuar në radhë të parë politikat shtetërore ndaj shtresave të tilla. Këta njerëz vërtetë janë në një ditë të vështirë, por duhet ta marrin pa lutje atë që u takon.
Gjithsesi, këtë të merkurë dotë transmetojmë historinë e 3 motrave Çokaj që e filmuam 1 javë më parë dhe javën tjetër do të jetë sërish një rast ekstrem i një familje, e cila jeton jashtë çdo parametri njerëzor. Do e bëjmë punën tonë me aq sa do të kemi mundësi. Së paku të sjellim zërin e këtyre fatkeqëve në ekranin e Tv1 Channel.