Dita e neserme, e hënë 7 qershor, mund të jetë vendimtare për Vllazninë e këtij sezoni. Mësohet se trajneri gjermano- kroat Thomas Brdariç do të kthehet nga pushimet disa ditore në Budva dhe do të takohet me sponsorin Xhaferi për të vendosur pikat mbi “i” për vazhdimësinë. Këto ditët e fundit është folur shumë nëse Brdariç do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë ose jo.
Drejtuesit e klubit kuqeblu janë treguar të kujdesshëm, teksa nuk kanë dhënë prononcime direkte por më shumë në formën e batutave apo edhe fotove në rrjetet sociale, të cilat mund të ngjallin mjaft diskutime. Por një gjë është e qartë deri tani: Negociatat me Brdariç do të nisin aty ku janë ndërprerë para se ai të nisej për disa ditë pushime në Budva.
Teksa për lojtarët Xhaferi ka deklaruar se kanë rritur pretendimet për trajtimin financiar, edhe pse nuk e ka thënë direkt, edhe Brdariç duket se është në të njëjtën linjë. Suksesi i këtij sezoni, duket ka ngjallur “oreksin” për një pagë më të lartë për këtë sezon, përveç bonuseve të cilat ai dhe skuadra i përfitojnë për rezultatet e arritura.
Edhe pse klubi kosovar nuk përgenjsehtron por as nuk pohon, mediatikisht është mësuar se Brdariç ngjall interes për FC Ballkani, një klub i Suharekës në Kosovë. Një portal kosovar, shpesh herë pikë referimi për lajme që vijnë nga Kosova, ka publikuar edhe rrogën mujore- 7 mijë euro për Brdariç dhe një kontratë totale 80 mijë euro.
Edhe në Kosovë merkatoja është e hapur, por nga një publikim i thjeshtë i orëve të fundit i FC Ballkani në Facebook, kuptohet se çeshtja e parave apo rrogave të futbollistëve që afruar, rrjedhimisht edhe të trajnerit, nuk është sa të hapësh “thesin” dhe të nxjerrësh paratë për të paguar. Lexoni vetë dhe nxirrni përfundimet. Rastësisht, burimi i informacionit që përgenjeshtrohet nga klubi kosovar, është pikërisht Indeksonline, ai që publikoi edhe lajmet për kalimin e Brdariç tek FC Ballkani. /ShkodraWeb/