
Ndërsa ka pak orë që Vllaznia ka rënë nga Superliga, nuk mungojnë as krijimet letrare apo bejtet siç njihen në Shkodër. Një nga më të ndjerat që po qarkullon në rrjet, është ajo me autorësinë e “Mjeshtrit të Madh” Besnik Çinari, një nga emrat më të mëdhenj të humorit. Vargjet krijojnë emocione të forta dhe vënë në qendër të vëmendjes kontributin e lojtarëve shkodranë në vite për Partizanin. Një tjetër emër i njohur, këngëtari Hajro Pepa, i ka publikuar këto vargje në faqet e tij në Facebook, pasi i ka marrë leje autorit. ©ShkodraWeb
Pse mor’ Partizan !
nga Besnik Çinari (Mjeshtër i Madh)
Partizan i nxore için
Si e harron Loro Boriçin
Ti Vllaznisë i vune lakun
Si e harrove ti, Lin Shllakun
Partizan ke lanë namin
Si e harrove Zan Rragamin
Për ty n’fushë kanë dhanë shpirtin
Si e harron Rragam Feritin
Partizan ke arritë maja
A harrohet Kolec Kraja
Te Vllaznia punët do levizin
Shpejt harrove Sabah Bizin
Në çati po këndon gjeli
Ka pas thanë Isa Teli ……
Shkodra gjithmonë ka hekë keq
E për ne ka fry murlani
Bane djalin njëzet vjeç
Merr Dinamo e Partizani
Edhe ti o Olsi Rama
Babës s’i harrohet nana
Vllaznia ka nderu krejt kombin
Si e harrove Zef Kolombin
Qajnë të gjithë e qajnë nana
vjet.. kulmi, ra Tirana
Veç nji fjalë du me ma ndi
Pa Tiranë , Shkodër , s’ka Shqipni
(Publikuar nga Hajro Pepa me leje të autorit)