Një shtetas 28 vjeçar nga Shkodra, është vënë në pranga nga uniformta blu. Mësohet se ai është kapur për llogari të drejtësisë italiane. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, ai është shpallur në kërkim me 29 janar të këtij viti. Në të njëjtën kohë, njoftohet edhe për vënien në pranga të një shtetasi 55 vjeçar nga Dragoçi i Postribës. Gjatë kontrollit, pasi është kallëzuar, policia ka gjetur një arsenal të tërë në banesën e tij. Më poshtë, njoftimi i Policisë së Shkodrës.
Vijon zbatimi i Planit të masave për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimin drejt Italisë
Arrestohet në flagrancë një shtetas për armëmbajtje pa leje dhe kultivim të bimëve narkotike
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër si rezultat i një pune të mirëorganizuar, dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në bashkëpunim me Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
E. Gj., 28 vjeç, banues në Shkodër. Arrestimi provizor i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Pistoia / Itali, më datë 29.01.2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Maksimumi i dënimit 10 vjet.
–
Gjithashtu nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në mbështetje të Forcës së Posaçme Shqiponja, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u arrestua shtetasi:
F. H., 55 vjeç, banues në fshatin Dragoç, Shkodër,
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, si dhe në oborrin e banesës së tij ju gjetën të kultivuar disa fidanë Cannabis Sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga nenet 278 e 284 të Kodit Penal.