Përfundon përzgjedhja e parë në PD, nga 3600 emra vazhdojnë garën 1000 kandidatë për deputetë…

Komisioni i Vlerësimit, i ngritur në Partinë Demokratike për vlerësimin e propozimeve të anëtarësisë së PD-së për deputetë dhe kryetarë bashkie, përfundoi dje fazën e parë të seleksionimit.komisioni-i-vleresimit-PD


Nga rreth 3600 propozime të bëra nga anëtarësia e PD-së, mësohet përmes burimeve se vetëm rreth 1000 kandidatë kanë kaluar fazën tjetër. Tirana, e cila përfundoi dje, ishte qarku i fundit që u filtrua nga 5-shja Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Enriketa Papa, Genc Ruli dhe Mark Marku.

E-MAILI

Kandidatët për të qenë pjesë e listës së PD-së për deputetë dhe kryetarë bashkie, të cilët kanë kaluar fazën e parë të seleksionimit, janë njoftuar nga Komisioni i Përzgjedhjes përmes një emaili, ku iu konfirmohet se kanë kaluar fazën e parë dhe kanë detyrim që brenda 5 ditëve të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit.

Për disa qarqe si Kukësi, Dibra, Berati, Shkodra, faza e parë ka përfunduar më herët dhe u ka shkuar më herët formulari i vetëdeklarimit dhe dje kandidatëve u ka përfunduar afati për t’ia dorëzuar të plotësuar Komisionit të ngritur në PD.

Pak ditë më parë, u bë publike edhe përmbajtja e emailit që u ka shkuar kandidatëve.

“E/I nderuar. Në vijim të propozimit tuaj, nga anëtarët e PD-së dega …….., me vendim të Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve, ju njoftojmë se jeni kualifikuar në fazën e parë të shqyrtimit të kandidaturave për përfaqësim politik të Partisë Demokratike. Bashkëlidhur gjeni për plotësim formularin e vetëdeklarimit për kandidim, sipas udhëzimit nr. 60, datë 25.06.2020, të Kryesisë së Partisë ‘Për miratimin e rregullave për realizimin e procedurës së propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësim politik të Partisë Demokratike, në nivel qendror dhe lokal’”, thuhet në emailin e dërguar nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit.

Më tej, ata i kujtojnë çdo kandidati detyrimin që ta plotësojnë formularin brenda 5 ditëve, pasi në të kundërt, mosdorëzimi qoftë elektronikisht, qoftë në versionin fizik i formularit të plotësuar, nënkupton tërheqjen nga gara të kandidatit.

“Sipas udhëzimit, formulari duhet të dorëzohet i plotësuar në rrugë elektronike në adresën kvk@pd.al apo dorazi pranë Sekretariatit Organizativ të Partisë në selinë qendrore, brenda 5 ditëve nga marrja e këtij njoftimi. Mosdorëzimi në kohë i formularit të vetëdeklarimit nënkupton heqje dorë nga mundësia për të qenë kandidat i mundshëm. Lutemi që plotësimi të bëhet elektronikisht ose me shkrim të qartë dhe të kuptueshëm. Dorëzimi me e-mail konsiderohet nënshkrim nga ana e kandidates/it”, vijon njoftimi me e-mail për kandidatët.

Ky njoftim nuk u ka shkuar të gjithë atyre kandidatëve që 10 vitet e fundit kanë pasur mandatin e deputetit ose të kryetarit të bashkisë, pasi më herët në shtet e kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!