Nga lojtarët bazë të Vllaznisë, në seancën e djeshme kanë munguar katër futbollistë, që u justifikuan me… arsye familjare. Bëhet fjalë për dyshen e mbrojtjes Mevlan Adili–Darko Bulatoviç, si dhe mesfushorët me tipare sulmuese Liridon Latifi dhe Viktor da Silva. Ashtu si Da Silva edhe braziliani tjetër Gustavo vijon të mungojë për arsye dëmtimi.
Treshja Adili, Bulatoviç e Latifi pritet që sot të bashkohet me ekipin. Ndërsa dy brazilianët nuk dihet se kur do të bashkohen me ekipin. Situata e Da Silvës duket disi e komplikuar, pasi dëmtimi mendohet të jetë kaluar, por braziliani ka pretendime të tjera. “Panorama Sport” ka mësuar se klubi ka menduar të marrë masa ndëshkimore për Da Silvën, nëse ai nuk kthehet në stërvitje.
Trjaneri Brdariç nga sot pritet që të rrisë ngarkesën për skuadrën. Është planifikuar që Vllaznia të kryejë dy seanca stërvitore. Më këtë program pritet të vazhdohet deri në fundjavë. Skuadra do të jetë në Shkodër deri në fund të javës dhe më pas do të largohet jashtë vendit për të zhvilluar pjesën më intensive të përgatitjeve.
Ende nuk është përcaktuar përfundimisht se ku do të shkojë, por me shumë mundësi do të jenë sërish në Zllatibor të Serbisë, aty ku ishin edhe në muajin qershor. Por mungesa e takimeve miqësore mund të bëjë që drejtuesit të shikojnë variante të tjera.